Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka refuzuar të flasë për mediat pas takimeve me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Rama refuzoi që të prononcohet për mediat duke u mjaftuar vetëm me fjalët; “S’kam homolog, nuk bëj dot konferencë”.
Ndërkaq, më herët në kuadër të turit ballkanik, Edi Rama u takua me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, për të vijuar më pas me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin Glauk Konjufca.
Konjufca ka kërkuar që kryeministri Rama të mos e shohë si fajtore Kosovën lidhur me krizën në veri, por si një vend që kërkon rend dhe ligj. Ndërsa ka theksuar se Rama mund ta ndihmojë Kosovën më shumë nga sa po bën.
“Ne biseduam për zhvillimet në vend, për situatën politike, për ndihmën që e presim nga qeveria Rama, për të gjitha këto procese të vështira që po kalojmë.
I tregova që ndihma e Shqipërisë, është e pazëvendësueshme dhe Rama mund të na ndihmojë shumë më shumë se po e bën aktualisht, që republikën e Kosovës, në përpjekjet tona që janë shtetërore dhe kushtetuese, për të vendosur rend dhe ligj, të mos e shohin Kosovën fajtore, këtu nuk ka fajtor, këtu mund të ketë përgjegjësi”, është shprehur Konjufca.
Kryeministri Rama do të qëndrojë në Kosovë në kuadër të një turi dyditor ballkanik që synon të informojë shtetet e rajonit për përgatitjet që po bën Shqipëria për të pritur Samitin e Procesit të Berlinit.
The post Takimet në Kosovë/ Rama refuzon të flasë për mediat: S’kam homolog, nuk bëj dot konferencë first appeared on TV21.