Të paktën 17 njerëz duke përfshirë dhe tre fëmijë kanë humbur jetën në një rrjedhje të dyshuar gazi toksik prej një depozite, në një minierë ilegale floriri në Afrikën e Jugut.
Grupet e shpëtimit thonë se numri viktimave mund të shkojë mbi 20, teksa kërkimet vijojnë në një rreze 100-metre nga impjanti i gërmimit në Boksburg, në lindje të Johannesburg.
Viktima më të vogla në moshë ishin nga 6 deri në 15 vjeç, teksa grupet e shpëtimit vijonin kërkimet.
Kërkuesit ilegalë të floririt – të njohur në vend si ‘zama-zama’ – përdorin oksid nitrati në kasolle të mëdha ku punojnë dhe flenë.
Me gazin ata ndajnë floririn e gjetur nga dheu dhe papastërtitë.
Zëdhënësi William Ntladi tha: “Grupet e kërkimit dhe shpëtimit kontrolluan depozitën e gazit që besohet se ka rrjedhur helmin, dhe po verifikojnë nëse ka të tjera viktima”.
“Trupat që gjetëm kishin humbur jetën ndërsa të tjerë kishin tentuar të shpëtonin dhe kishin humbur ndjenjat më larg”.
“Nuk e dimë kur nisi rrjedhja e gazit por kur grupet e ndihmës erdhën në ora 20.00 të mërkurën, depozita e gazit ishte zbrazur nga rrjedhja”.
Një tjetër oficer tha se kishte gra e fëmijë mes viktimave.
“Zama-zama-t jetojnë në komunitetet e tyre dhe pastrojnë floririn e gjetur me këto cilindra gazi, por për fat të keq kësaj here rrjedhja i mbyti njerëzit në gjumë.”
“Të tjerë ishin përpjekur të largoheshin por gazi ishte përhapur dhe mund t’i rezistohej. Skena ishte e tmerrshme me trupa të shtrirë kudo”, tha ai.
Një udhëheqës komunitar që i trembej zama-zama-ve tha: “Ne s’mund të bëjmë gjë kundër tyre, ata janë të fuqishëm e të rrezikshëm. Jetojnë mes nesh në zonën Angelo. Kjo që ndodhi po shkatërron Angelo – ka trupa kudo që shikon”.
Kjo nuk është hera e parë që minatorë vriten në incidente të tilla në Afrikën e Jugut. Në fund të vitit të shkuar 41 minatorë të dyshuar humbën jetën nga shpërthimi i një kamioni me gaz të lëngshëm në Free State Province.
Top Channel