KOSOVË

Zyrtari i NATO-s takohet me Kurtin dhe Osmanin, diskutohet për veriun

Gjatë vizitës së tij në Kosovë të mërkurën, ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s për operacione, Thomas Goffus, është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit Albin Kurti.

Në takimin e Kurtit me Goffus, Qeveria e Kosovës tha se kryeministri ka ngritur shqetësimin “për mungesën e ofrimit të qartësisë nga KFOR-i” sa i përket arrestimit të tre policëve të Kosovës më 14 qershor, “përkundër evidencës së bollshme të ofruar nga institucionet e Kosovës”.

Autoritetet e Kosovës kanë thënë vazhdimisht se policët janë rrëmbyer brenda territorit të vendit, ndërsa ato në Serbi kanë thënë se ata kanë qenë “thellë” në territorin e tyre, kur janë arrestuar.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, më 16 qershor kishte thënë se nuk është e qartë se ku kanë qenë tre policët e Kosovës, në kohën e arrestimit nga forcat serbe.

“Pas arrestimit të tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 14 qershor, misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, ka rishikuar vendndodhjen e ngjarjes dhe ka folur me përfaqësues të institucioneve në Kosovë dhe me autoritetet serbe. Bazuar në të dhënat e disponueshme, mbetet e paqartë se ku kanë qenë zyrtarët e Policisë së Kosovës në momentin e arrestimit”, thuhej në komunikatën e KFOR-it.

Sipas njoftimit të Qeverisë, kryeministri po ashtu ngriti edhe shqetësimin për raportimet se në kishat ortodokse serbe është kontrabanduar armatim përmes ambulancave.

Pretendimet në lidhje me kontrabandën e armëve përmes autoambulancave dhe ruajtjen e tyre nëpër kisha në Kosovë i bëri publike një ditë më parë ligjvënësja britanike, Alicia Kearns, gjë një debati në Parlamentin britanik.

Ligjvënësja britanike, Kearns, tha se, ushtarët britanikë, që janë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, “zbuluan se armët po kontrabandoheshin përmes kufirit nga Serbia në kishat ortodokse në Kosovë, duke përdorur autoambulanca”.

Misioni i KFOR-it tha se ngjarjet që janë përmendur nga deputetja britanike i referohen vitit 2022 kur “një batalion i ushtrisë britanike ishte angazhuar në veri të Kosovës në mbështetje të misionit të NATO-s”.

Ky mision tha se për praninë e pretenduar të armëve të paligjshme është raportuar në shtabin e KFOR-it, por gjatë hetimeve të kryera nuk janë gjetur prova për kontrabandë.

Gjatë takimit me zyrtarin e lartë të NATO-s, kryeministri Kurti gjithashtu thuhet se ka përmendur masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian të vendosura ndaj Kosovës, duke thënë se ato kanë krijuar asimetri në dialog.

“Sundimi i ligjit, mungesa e protestave të dhunshme e aktiviteteve kriminale dhe zgjedhjet e hershme janë rruga përpara drejt de-eskalimit dhe për këtë qeveria është maksimalisht e angazhuar”, thuhet në njoftimin për media nga Kryeministria.

Goffus takohet me Osmanin

Ndihmës Sekretari i Përgjithshëm në NATO-s për operacione u prit në takim edhe nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në njoftimin për media nga Presidenca e Kosovës, u tha se me Goffus, Osmani diskutoi për situatën e sigurisë në veri të vendit dhe hapat për shtensionimin e gjendjes në këtë pjesë të vendit.

Presidentja Osmani ka theksuar në këtë takim se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe fuqizimin e sundimit te ligjit./REL

Related posts

Një nga veteranët më mashtrues është Albin Kurti

admin

Sanksionet duhet drejtuar Serbisë dhe jo Kosovës, përshëndesim distancimin e Shqipërisë nga “Open Ballkan”

admin

Nis dëshmia e dëshmitarit të dytë ndaj Thaçit dhe të tjerëve

admin

Leave a Comment