Kanë dalë detaje të reja tronditëse të tragjedisë që përfshin dy të rinj irlandezë 18-vjeçarë që vdiqën brenda 6 orëve në ishullin grek.
Sipas Daily Mail, 18-vjeçari Max Wall kaloi një ditë duke kërkuar mikun e tij Andrew O’Donnell, para se të rrëzohej dhe të humbiste ndjenjat në port, pasi mësoi për fundin tragjik të shokut të klasës.
Max ka vizituar një dyqan në Ios dhe ka bërë postera për zhdukjen e Andrew, i cili ishte zhdukur që nga mbrëmja e së shtunës.
Me postera në duar, Maksi ka njoftuar banorët e Ios për zhdukjen e mikut të tij, duke mos ditur që Andrew kishte dhënë frymën e fundit në një shkëmb në zonën e Germanoli.
Kur mësoi për fundin tragjik të mikut të tij, Max vendosi të kthehej në Dublin për të qenë me njerëzit që e njihnin Andrew dhe për të ndarë dhimbjen e tyre së bashku, por ai nuk ia doli pasi u rrëzua dhe dha frymën e fundit në portin e Ios, ku priste tragetin për në Pire.
Miqtë thanë se Max ishte “shkatërruar” nga vdekja e Andrew dhe kishte vendosur të kthehej sa më shpejt në Irlandë.
Trupi i 18-vjeçarit Andrew u gjet në shkëmb falë një sinjali nga celulari i tij, tha drejtori i Kolegjit St Michael, shkolla ku frekuentonin dy të rinjtë irlandezë. Sipas tij, nëse Andrew do të kishte ecur një ose dy metër në të djathtë ose në të majtë të rrugës që kishte ndjekur, ai mund të mos ishte rrëzuar.
Ai konfirmoi nga njëra anë se Max vuante nga probleme me zemrën pasi i ishte nënshtruar një operacioni disa vite më parë dhe nga ana tjetër se Andrew kishte kaluar orët e fundit para vdekjes së tij tragjike në një lokal në Ios duke konsumuar alkool, përpara se të vendoste të kthehej vetëm në banesën ku po qëndronte në ishull.
Ekzaminimet mjeko-ligjore pritet të zbardhin shkaqet e vdekjes së dy djemve fatkeq nga Irlanda në Ios. Ditën e martë, prindërit morën trupat e fëmijëve të tyre nga qendra shëndetësore e ishullit, i shoqëruan në anijen që i çoi në Pire dhe më pas në mjekësinë ligjore ku janë në pritje të përgjigjeve nga mjekët.
Edhe pse plagët e Andrew sugjerojnë se ai u rrëzua dhe vdiq, policia po heton gjithashtu mundësinë e neglizhencës kriminale. Pijet që konsumuan ai dhe shokët e tij të klasës mund të jenë të falsifikuara dhe këtë do e zbulojë raporti mjeko-ligjor, nëse një lloj dehësi mund të ketë kontribuar në vdekjen e të dy djemve.
Top Channel