I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, të martën po qëndron në Kosovë, në përpjekje për të ulur tensionet në veri të Kosovës.
Lajçak më pas do të shkojë edhe në Serbi, në tentim për të bindur palët që përveç se të shtensionojnë situatën, t’i kthehen edhe tryezës së dialogut.
Në Prishtinë, Lajçak është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Përmes një komunikate për media, Presidenca e Kosovës ka njoftuar se gjatë takimit mes Osmanit dhe Lajçakut u diskutua për tejkalimin e “sfidave aktuale politike dhe të sigurisë”.
“Institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t’i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.”, citohet të ketë thënë Osmani.
Komunikata thotë se presidenjta gjithashtu ka theksuar se “grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë” dhe se Kosova mbetet “”e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon”.
Emisari evropian pas takimit me presidenten, po zhvillon takim edhe me kryeminstrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Është pjesë përbërëse e punës së të dërguarit të posaçëm që të udhëtojë për t’u takuar me partnerët në terren”, tha një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar vizitën e Lajçakut. Ai shtoi se kjo vizitë në Kosovë është pjesë e punës për “lëvizjen e dialogut përpara”.
BE-ja vazhdimisht ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për shtensionimin e menjëhershëm të tensioneve dhe të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve, që ndërmjetëson Burkseli.
Blloku evropian i ka paraqitur disa kërkesa Kosovës sa i përket situatës në veri. Brukseli po kërkon tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në veri, paralelisht me tërheqjen e protestuesve serbë. Po ashtu, blloku evropian po kërkon tërheqjen e kryetarëve të rinj nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve në veri dhe zotimin publik të serbëve se do të marrin pjesë në votime.
Për shkak të mospërmbushjes së këtyre kërkesave, BE-ja ka nisur së zbatuari disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
Që kur janë rritur tensionet në veri në fund të majit, nuk ka pasur takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë zhvilluar në Bruksel disa “takime krize” me zyrtarët evropianë, por nuk kanë mbajtur takime dypalëshe. Takimet me ndërmjetësit e dialogut, megjithatë kanë përfunduar pa rezultate konkrete.
Tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe nisën kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore./REL