Arabia Saudite dhe Rusia janë duke kufizuar sasinë e naftës me të cilat furnizojnë vendet e tjera, në një përpjekje për t’i rritur çmimet, edhe pse edhe kërkesat janë zvogëluar.
Ky vendim bëri që çmimet e naftës të rriteshin lehtazi më 3 korrik dhe vjen pasi sauditët njoftuan se do të ulnin dukshëm prodhimin gjatë muajit korrik, duke ngritur shqetësimet se çmimet për shoferët mund të fillojnë të rriten.
Ministria e Energjisë saudite tha se do ta zgjasë këtë kufizim deri në gusht për të mbështetur “stabilitetin dhe ekuilibrin e tregjeve të naftës”.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri rus, Alexander Novak, tha se vendi i tij do ta ulë prodhimin ditor për 500.000 fuçi shtesë gjatë muajit gusht, sipas raporteve të mediave ruse.
Reduktimet vullnetare vijnë pasi karteli i naftës OPEC – i udhëhequr nga Arabia Saudite, dhe prodhuesit aleatë, të udhëhequr nga Rusia – ranë dakord që t’i zgjasnin disa kufizime paraprake deri në vitin e ardhshëm.
Çmimi mesatar për 3.8 litra benzinë në SHBA është më pak se 3.50 dollarë këtë vit, 1.30 dollarë më pak se vitin e kaluar.
Fakti që sauditët mendonin se një tjetër kufizim ishte i nevojshëm simbolizon perspektivën e pasigurt për kërkesën për karburant në muajt në vijim, raporton agjencia e lajmeve AP.
Sauditët kanë nevojë për të ardhura të larta stabile nga nafta për të financuar projekte ambicioze zhvillimi që synojnë diversifikimin e ekonomisë së vendit, ndërsa Rusia po kërkon të rrisë fitimet për ta financuar luftën kundër Ukrainës.
Sanksionet perëndimore bëjnë që Moska të detyrohet ta shesë naftën e saj me çmim më të ulët në vende si Kina dhe India. Të ardhurat e saj nga eksporti vlerësohet se ranë për 1.4 miliardë në maj, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë në një raport të muajin të kaluar./ REL
Top Channel