KOSOVË

“Duhet shtensionuar shpejt situatën në Kosovë”

Në Bruksel është duke vazhduar samiti i liderëve të vendeve të Bashkimit Evropian, në të cilin, ndër tjerash temë për diskutim janë edhe tensionet në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Për këtë është diskutuar edhe ditën e parë të samitit, së pari në një takim të përbashkët që liderët e BE-së patën me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, e pastaj edhe në takimin e shefave të shteteve apo qeverive të BE-së.

“Ishte një diskutim mjaft dinamik dhe shumë pjesëmarrës folën për këtë temë. Por, porosia kryesore ishte se duhet të veprohet shpejt për shtensionimin e situatës dhe këto [veprime] duhet të bëhen nga të dyja palët“, ka thënë një zyrtar i BE-së, duke folur me gazetarët mëngjesin e së premtes, kur edhe nisi dita e dytë e samitit.

Gjatë ditës pritet të debatohet edhe për tekstin e konkluzioneve, i cili tekst është përgatitur për miratim. Në këtë tekst, ndër tjerash, është një paragraf që u kushtohet Kosovës dhe Serbisë, si dhe një tjetër për zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Mirëpo, problemi me konkluzionet është se ato të gjitha janë në një dokument dhe ka mundësi që për shkak të mospajtimeve mes vendeve të BE-së për temën e migracionit, të mos miratohen fare as konkluzionet për temat tjera.

Liderët e BE-së kanë bërë përpjekje deri pas mesnate që të arrijnë pajtim për tekstin, por Hungaria dhe Polonia e kanë bllokuar miratimin e pjesës që ka të bëjë me menaxhimin e migrimit në BE.

Zyrtarët e BE-së shpresojnë se gjatë ditës së premte do të arrihet një kompromis dhe të miratohen konkluzionet. Si mundësi alternative mbetet edhe miratimi i tyre në formën e “Konkluzioneve të Presidencës“ e jo si “Konkluzione të Këshillit Evropian”.

Në tekstin e konkluzioneve kushtuar zgjerimit të BE-së, pritet që të shprehet mbështetja për integrimin e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE. Ndërsa në pjesën e konkluzioneve kushtuar Kosovës e Serbisë, pritet që të dyja vendeve t’u kërkohet të bëjnë hapa të menjëhershëm për t’i ulur tensionet.

“Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian më 3 qershor 2023”, thuhet në këtë tekst.

“Palët duhet të krijojnë kushte për zgjedhje të parakohshme në të gjitha katër komunat në veri të Kosovës. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, shtohet tutje në tekstin e konkluzioneve.

“Është esencial vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, udhëhequr nga përfaqësuesi i lartë dhe zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe implementimi i Aneksit është i domosdoshëm. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe“, theksohet në tekst./rel

Related posts

Erdogani rikthehet në fushatë pas sëmundjes

admin

Plagosja në Veri të Kosovës, arrestohen katër policë

admin

Çfarë i bëri bashkë prindërit e Rita Orës me Albin Kurtin në Prishtinë?

admin

Leave a Comment