“Një lajm të mirë” e ka konsideruar kryeministri i Shqipërisë Edi Rama mbështetjen që ka marrë ideja e tij për mbajtjen e një konference të nivelit më të lartë për Kosovën dhe Serbinë, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman.
Në një postim në Twitter, Rama shkruan se rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk mund të merret peng, ndërsa tensionet mes Kosovës dhe Serbisë i konsideron “një konflikt krejt të kotë”.
“Një lajm i mirë progresi i idesë së konferencës të nivelit më të lartë, pa afat, deri në arritjen e marrëveshjes së plotë për zbatimin e Planit Franko-Gjerman mes Kosovës e Serbisë, çka sot e mbështeti vetë Presidenti Charles Michel. Rajoni ynë nuk mund të merret zvarrë nga një konflikt krejt i kotë, absurd, ku luhet me zjarrin e nacionalizmit duke prodhuar çdo ditë arsye për sherr, me veprime e mosveprime, akuza e kundërakuza, të cilat po e degradojnë përditë situatën në Veriun e Kosovës dhe po minojnë vetë ngrehinën e ndërtuar me aq shumë përpjekje të bashkëpunimit rajonal”, shkruan Rama.
Sipas Ramës, veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër, teksa thekson se politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë “me vepra e jo me fjalë”, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit dhe jo ëndrrave të Kremlinit.
“Sot kur në Bruksel ka hyrë në axhendën e punës së Komisionit përgatitja e një plani të ri mbështetjeje financiare dhe ekonomike për vendet e rajonit tonë; kur Shqipëria përgatitet të presë Samitin e Parë të Procesit të Berlinit në Ballkanin Perëndimor; kur ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar, për ta çuar përpara këtë proces jetik për të ardhmen tonë të përbashkët europiane, duke forcuar lidhjet tona, ekonomitë tona, tregun tonë të përbashkët, Veriu i Kosovës po i ofron botës shfaqjen e një filmi bardhezi të Ballkanit të vjetër, i cili mund të argëtojë vetëm spektatorët cinikë në Lindjen kufijve të Bashkimit Europian. Politikanët e Kosovës duhet ta dëshmojnë sot, me vepra e jo me fjalë, se ky rajon i përket Procesit të Berlinit jo ëndrrave të Kremlinit dhe Kosova nuk mund të jetë pëlhura e pavetëdijshme mbi të cilën projektohen ato ëndrra, ndërkohë që disave prej tyre u duket se po pikturojnë një tablo heroike për historinë”, thekson Rama.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel ka mbështetur idenë e paraqitur nga kryeministri Edi Rama për një konferencë ndërkombëtare për të diskutuar tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit në veri të Kosovës. Duke folur për mediat para nisjes së samitit të ditës së sotme në Bruksel, Michel tha se konferenca ndërkombëtare do të ishte produktive për zbutjen e tensioneve në veri të Kosovë.
Ndërkohë, 27 liderët e BE do të miratojnë në samitin e sotëm përfundimin me anë të së cilave do të dënohen incidentet në veri të Kosovës dhe do të kërkohen hapat drejt çtensionimit të situatës.