Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit reagoi sot ndaj deklaratës së zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, i cili mbrëmë në TV Sitel tha se nuk beson në kapacitetet e këtij komisioni.
Grubi shtoi se ka besim tek institucioni, por ka dyshime për kapacitetet e tij, përcjell INA.
” Një shumicë dërrmuese e çështjeve ose humbasin në procedura administrative ose hidhen poshtë nga gjyqtarët, për ato që po bën Komisioni Antikorrupsion dhe shpresoj që përbërja e radhës të jetë vërtet serioze, nuk kanë pasur asnjë sukses që kur kanë qenë në detyrë”, theksoi Grubi.
Por pas kësaj, sot reagoi Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit me anë të një komunikate ku thuhet se akuzat nuk qëndrojnë.
“Keni të drejtë z. Grubi, Antikorrupsioni nuk ka kapacitet për të vozitur me automjete zyrtare 24/7 dhe për qëllime private, të abuzojë me objektet shtetërore, të përdorë përfaqësi dhe karta zyrtare pagese, as të shpërdorojë para buxhetore, por të jeni të sigurt se ka kapacitet të përmbushë detyrimet dhe kompetencat e veta ligjore, dhe të zhvillohen iniciativa dhe rekomandime të shumta që ende presin rend dhe kohë për të vepruar sipas tyre”, thuhet në njoftimin e Antikorrupsionit.
Ata kujtojnë Raportin e Komisionit Evropian për progresin e vendit, në të cilin, siç thonë ata, marrim vlerësime pozitive për proaktivitetin dhe hapjen e rasteve ndaj zyrtarëve të lartë.
“Gjithashtu, KE-ja në raportet e saj u bën thirrje institucioneve kompetente që të veprojnë sipas rekomandimeve të DKSK-së”, shton Antikorrupsioni.
Nga ky institucion thonë se është për t’u habitur fakti që zëvendëskryeministri nuk e njeh këtë vlerësim të KE-së, si organi më i lartë i BE-së dhe siç thonë ata “bën akuza të pabaza”.
“Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit është një institucion i pavarur, me autoritet për të trajtuar çështjet për zyrtarët e zgjedhur dhe të emëruar. Kualifikimi për kapacitetet e Komisionit nga një zyrtar i lartë i Qeverisë së RSM-së, për të cilin është hapur rasti, nuk është gjë tjetër veçse presion në punën e Komisionit dhe përpjekje e orkestruar për defokusim të opinionit. Aq më tepër që së fundmi Kabineti i Zëvendëskryeministres për Qeverisje të Mirë dhe kundër Korrupsionit përdori akuza të kota dhe të pabaza lidhur me rastin e kryetarit të Komunës së Strugës Ramiz Merko…”, sqaroi Antikorrupsioni në reagimin ndaj deklaratës së Grubit dhe shtoi se Komisioni ka kapacitete për t’u marrë me, siç thonë ata “sulme të orkestruara”.(INA)