I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Miroslav Lajçak deklaroi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç kanë rënë dakord për zgjedhje të reja në veri.
Lajçak u shpreh se kryetarët shqiptarë të 4 komunave veriore nuk kanë legjitimitet.
“Sigurisht që zgjedhjet e reja duhet të mbahen në muajt në vijim. Dhe kjo ishte një nga pikat për të cilat Vuçiç dhe Kurti ranë dakord. Është e qartë se kryetarët e bashkive nuk kanë legjitimitetin që duhet të kenë. Kryetar komunash me legjitimitet mund të jenë vetëm ata të zgjedhur nga serbët e Kosovës. Pyetja me të cilën po merremi është se kur dhe si do të arrijmë atje. Dhe sigurisht, që serbët të kenë motivimin për t’u ndjerë të sigurt dhe se ne kemi zgjedhje të lira dhe përfaqësuese”, theksoi ai.
Në lidhje me draft propozimin e kryeminsitrit Edi Rama për Asociacionin, Lajçak nënvizoi se kreu i qeverisë shqiptare po luan një rol aktiv në zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.
“Është nismë e Edi Ramës. Më duhet të them se ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në të gjithë krizën, sepse është një njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritar për t’u dëgjuar. Unë jam në kontakt të rregullt me të dhe e di se sa kohë dhe autoritet ka investuar për të gjetur një zgjidhje. Ky është propozimi me të cilin doli. Jemi në kontakt të përditshëm me SHBA-në dhe kryeqytetet kryesore evropiane. Por sigurisht, platforma më e mirë për zgjidhjen e çështjeve është dialogu dhe ne duhet t’i kthehemi dialogut”, përfundoi Lajçak.