BOTA

Regjistrim në audio, ish-presidenti Trump flet për një dokument ‘tepër sekret’ me një intervistues

Një regjistrim në audio i një bisede në të cilën ish-presidenti Donald Trump flet për një dokument “shumë konfidencial” me një intervistues, duket se minon pretendimet e tij të mëvonshme se nuk ka patur në zotërim dokumente të tilla.

Regjistrimi është paraqitur si provë nga prokurori i posaçëm Jack Smith, për akuzat e tij ndaj ish presidentit Trump, për zotërim të paligjshëm të dokumenteve sekrete.

Regjistrimi është pjesë e një interviste, zhvilluar në korrik të vitit 2021, në Bedminster të New Jersey, që ish presidenti dha për autorët e një libri me kujtime për ish shefin e tij të personelit Mark Meadows.

Aktakuza e prokurorit të posaçëm pretendon se atyre që ishin të pranishëm në takim, një shkrimtar, një botues dhe dy nga ndihmësit e ish-presidentit Trump u tregoi informacione të klasifikuara lidhur me një plan të Pentagonit për një sulm ndaj një vendi të huaj, por që nuk përmendet me emër në regjistrim.

“Këto janë dokumentet”, thotë Trump, duke lënë të kuptohet se ai mban në dorë një dokument sekret të Pentagonit me plane për të sulmuar Iranin. “Kjo është bërë nga ushtria dhe më është dhënë mua”.

Referenca, që bën Trump për atë që ka në dorë, duke e quajtur si, “tepër sekrete” dhe fakti, që ua tregon dokumentin njerëzve të tjerë në takimin e vitit 2021, mund të hedhë poshtë pretendimin e tij në një intervistë të fundit për kanalin ‘Fox News’, se ai nuk kishte asnjë dokument sekret me vete.

“Nuk kisha asnjë dokument. Ishte një sasi e madhe njoftimesh dhe gjithçka tjetër, fliste për Iranin”, tha Trump në intervistën për ‘Fox News”, duke shtuar: “Ato nuk ishin dokumente, në vetvete. Nuk kishte asgjë për të deklasifikuar. Ishin artikuj gazetash, shkrime revistash dhe artikuj të tjerë”.

Trumpi u deklarua i pafajshëm në fillim të këtij muaji për 37 akuza për mbajtje të paautorizuar të dokumenteve të klasifikuara në resortin e tij në Mar-a-Lago në Florida. Akt-padia përfshin edhe një person të dytë, ndihmësin e tij Walt Nauta. Nauta kishte në plan të dilte të martën para një gjykatësi federal në Majami, por seanca u shty.

Një zëdhënës i ekipit elektoral të Trumpit tha se regjistrimi në audio, i cili u transmetua për herë të parë të hënën në emisionin ‘Anderson Cooper 360’ të CNN-it, “jep një kontekst, që vërteton, edhe një herë, se Presidenti Trump nuk ka bëre asnjë shkelje”. Vetë Trump, në platformën e tij të mediave sociale , pretendoi të hënën vonë, se regjistrimi “është në fakt një shfajësim nga akuzat, sesa ajo që ata do të donin që njerëzit të besonin”.


Top Channel

Related posts

ShBA: COVID-19 e ka origjinën nga një aksident laboratorik në Kinë

admin

Aktivistët në festë! Gratë në Spanjë mund të shkojnë në pishina publike “topless”

admin

Netanyahu thotë se sistemet për mbrojtje ajrore janë aktivizuar: Kushdo që na lëndon, do ta lëndojmë

Gjyla Halili

Leave a Comment