Dje në ITSHKSH u promovua libri dyvëllimësh me (foto)reportazhe “Shtegtime nëpër Atdhe” i autorit Berat Luzha. Përveç autorit dhe punonjësve shkencorë të Institutit, të pranishëm ishin edhe disa personalitete të shquara, në mesin e të të cilëve Tahir Hani, sekretar i Qeverisë së RMV, zv.guvernatori i Bankës Popullore, Fadil Bajrami, veprimtarët, Labinot Gjini, Xhevat Gjini, Ulusi Beqiri, zv. drejtori Agjencisë së Mërgatës, Izmit Nura.
Promovimi u moderua nga Bekim Adili.
“Shtegtime nëpër Atdhe” është një vepër ku në mënyrë gjithëpërfshirëse trajtohen plot 222 vise të trevave shqiptare duke përmbledhur fakte jo vetëm gjeografike, por edhe shoqërore dhe historike. Kjovepër vjen si
fryt i një pune hulumtuese pesë vjeçare të autorit.
Duke folur për rëndësinë e kësaj vepre, drejtori i ITSHKSh, Prof.dr. Skender Asani, vuri në pah natyrën udhëpërshkruese të saj, një komponentë kjo që e bën më të përafërt për lexuesin kulturën, historinë, gjeografinë e viseve shqiptare, një punë kreative që nuk është bërë më parë. Duke e krahasuar Berat Luzhën me udhëpërshkruesit e tjerë evropianë, si Edit Durham, Asani e cilësoi veprën e tij si një vazhdimësi e punës së rilindasve tanë, të cilët duke pasur bazament gazetarinë dhe letërsinë, kanë ditur nga të drejtohen që t’i japin një përshkrim të denjë ngjarjeve, viseve e njerëzve. “Ky është një hap shumë i mirë që studiuesit e tjerë të marrin një shembull të duhur, se këto vepra duhet të hyjnë në analet e historiografisë sonë”, theksoi Asani.
Ndërkaq, Labinot Gjini e vlerësoi përkushtimin e autorit ndaj çështjes kombëtare, duke kontribuuar edhe si gazetar, pasi që, siç tha ai, ky libër nuk është një përshkrim i thjeshtë i shëtitjeve private, por kemi të bëjmë me një shprehje të vullnetit të fuqisë së autorit që nuk është shuar me arritjen e objektivave shtetndërtuese edhe pas çlirimit të Kosovës.
Duke zbërthyer veprën nga këndvështrimi historik, studiuesi Besnik Rameti tha se autori Berat Luzha ka arritur që me shpirtin e tij të lirë, përmes kësaj vepre të shkrijë kufijtë administrativë, dhe kjo dëshmohet nga qasja e autorit, i cili viset shqiptare i sheh të pandara dhe si një vazhdimësi gjeografike, kulturore e etnopsikologjike. Rameti sugjeroi se kjo vepër mund të shërbejë edhe si një literaturë ndihmëse për t’i plotësuar zbrazëtirat që u kanë munguar veprave shkollore.
Tahir Hani e përshkroi veprën “Shtegtime nëpër Atdhe” si demonstrim një kontinuiteti historik, nga lashtësia e deri në ditët e sotme, me përshkrimin e vendeve të rëndësishme në faza të ndryshme të zhvillimeve kombëtare, duke argumentuar kështu se shqiptarët në këto troje kanë të drejtën e tyre të plotë historike. Për të ilustruar këtë argument ai përmendi fshatin e dasmës së Skenderbeut Drobonikun, qytetin mesjetar Voskopojën, Ulpianën, viset e Çamërisë dhe Italisë së jugut, Malin e Zi dhe Luginën e Preshevës, vise këto që dëshmojnë autoktoninë e shqiptarëve.
Mbi disa aspekte udhëpërshkruese e historike të librit, foli edhe historiani Ismet Jonuzi Krosi.
Autori, Berat Luzha, pasi përgëzoi Institutin për punën që po bën në qendrën shpirtërore të shqiptarëve, u bëri thirrje gjithë studiuesve, gazetarëve e shkrimtarëve që të vizitojnë çdo cep të atdheut tonë sepse trojet shqiptare, siç tha ai, janë nga më të bukurat në botë. Prandaj ai jo rastësisht kishte vënë në hyrje të librit moton: “Njihe atdheun, që ta duash më shumë!”.
Në mbyllje të këtij promovimi dhe në shenjë faleminderimi, autori Berat Luzha i dhuroi drejtorit Asani një kopje të librit të tij mbi arkivin e luftës dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i cili tash e tutje do të jetë në dispozicion të studiuesve të ITSHKSH-së.