Dihet që duhet të ndryshoni të brendshmet çdo ditë dhe t’i lani ato para se t’i vishni përsëri.
Por në lidhje me “jetëgjatësinë” e të brendshmeve, nga këndvështrimi shëndetësor, a ekziston një kohë kur duhet të hidhni të vjetrat dhe të blini të reja?
Përgjigjja nuk është aq e thjeshtë sa mund të mendoni, tha për Health gjinekologia Taraneh Shirazian. Asnjë provë mjekësore nuk tregon se veshja e mbathjeve të vjetra është faktor rreziku për një gjendje të caktuar vaginale, thotë Dr. Shirazian.
Por përsa i përket rehatisë dhe zvogëlimit të shanseve të çdo problemi – si reaksion alergjik ose infeksion – duhet të zëvendësoni të brendshmet rregullisht, këshillon ajo.
Philip Tierno, një profesor i mikrobiologjisë dhe patologjisë dhe autor i librit “First Wear a Mask: A Doctor’s Guide to Reducing Risk of Infection During a Pandemic and Beyond” bie dakord që të brendshmet nuk kanë një datë skadence. Por të brendshmet mund të jenë “mekanikisht jofunksionale” – me fjalë të tjera, kanë vrima ose materiali u është dëmtuar – ndaj është koha t’i zëvendësoni ato.
Çfarë mund të ndodhë nëse vishni të brendshme të vjetra? Rreziku nuk është i lartë, por një palë mbathje që nuk përshtaten më siç duhet mund të shkaktojnë infeksione. Nëse shtresat e mbathjeve janë të dobëta, ato mund të irritojnë lëkurën dhe të rrisin rrezikun e infeksionit.
“Kur jeni duke zgjedhur të brendshme, tregohuni të kujdesshëm për detaje të tilla si materialet, ngjyrat dhe kimikatet,” sugjeron Dr. Shirazian. Ajo rekomandon materialin e pambukut, sepse nuk lejon që të krijohet lagështirë dhe shmang infeksionet. Nga ana tjetër, pëlhura sintetike si najloni mbajnë lagështi dhe nuk thahen lehtë, duke shkaktuar irritim dhe infeksion.