AKTUALE

Për mafien e Beogradit, thuprën e çobanit e lopët e Serbisë

Nga Shqiptar Oseku

Dëgjoj shumë sot që ndihen të shokuar se si Beogradi paska gjithë këtë mbështetje, jo veç në Bruksel, por edhe në Washington DC. Kjo zbulon veç injorancën e tyre. Beogradi ka pasur gjithmonë mbështetje në Washington D.C. Për pothuaj një shekull, Beogradi ka qenë çoban i Ballkanit. Atij perëndimorët ia morën përkohësisht thuprën nga dora në vitet 1990, mirëpo një dekadë s’është veçse intermezzo në histori. Një pauzë midis gjysëmlojësh, për ty që pëlqen më fort referencat e futbollit.

Gjatë tërë luftës së ftohtë, Jugosllavia ka pasur status si anëtar de facto i NATO-s, me garanca unike të mbrojtjes. Mbledhur nga viti 1951, amerikanët i kanë dhënë Beogradit mëse një miliardë USD në ndihma ushtarake, midis tyre 15 avionë F82 Lockheed Thunderstrike, 60 tanke M47, qindra pjesë artilerike e municion, antiajrorë, anije të luftës, e pajisjet më modernen për luftë elektronike. Në vitet 1980, kur Jugosllavia kishte numrin më të madh të të burgosurve politikë në tërë Evropën Lindore, pjesa dërmuese shqiptarë, SHBA i dhanë Beogradit një kontratë të re për pajisje kundërajrore me vlerë 93 mil USD. Mbas hipjes në pushtet të Millosheviçit më 1987, amerikanët i dhanë Beogradit një tjetër kontratë ushtarake në vlerë 96 milionë USD, duke i dhënë Serbisë avionë të luftës, tanke, e artileri. Oficerët e Millosheviçit trajnoheshin në SHBA gjer më 1991.

Gjatë tërë asaj epoke të errët, s’është quajtur problem tirania e Beogradit, po rezistenca e shqiptarëve. Si shkruan S. Woehrel (Congressional Research Service Report, nëntor 1989, fq 19), frika kryesore ishte se armiqësimi i shqiptarëve “kërcënon integritetin territorial të Jugosllavisë”, “sidomos nëse shqiptarët shtojnë trysnitë për të ndryshuar status quo-në politike e territoriale të Jugosllavisë, qoftë me mjete paqësore a të dhunshme”. Ky është citat tekstual. Bazë e kësaj mendësie është ideja se Serbia është çelës i paqes në Ballkan. Ndjekësit e kësaj ideje i shohin shqiptarët si popullsi fisesh a klanesh të ndara, të cilët nuk ofrojnë dot vlerën e Serbisë.

Ky vlerësim ka kushtëzuar historikisht edhe sjelljen e diplomatëve amerikanë. Në vitin 1981, kur plasin demonstratat e studentëve në Prishtinë, ambasadori amerikan në Beograd quhej Lawrence Eagleburger; më vonë ky do të bëhej kapiten i diplomacisë amerikane në Balkkan. Në prillin e hershëm 1981, Eagleburger fluturon me urgjencë nga Beogradi për në Washington D.C. dhe arrin në çast të fundit për të bindur kongresin amerikan që të mos dënojë dhunën mbi shqiptarët. Sa për kuriozitet, Eagleburger, i cili gjatë presidencës Bush u bë ndihmësministër i jashtëm, ishte kryetar i komitetit “Miqtë e Jugosllavisë” në Washington D.C., një grup ekskluziv ku bënin pjesë edhe diplomatët Henry Kissinger dhe Warren Zimmerman. Ky i fundit, ta zëmë, paralajmëronte në vitet 1990 se çdo gisht pavarësi që eventualisht do t’u njihej shqiptarëve në Kosovë u duhej kompensuar serbëve në Bosnje. Diplomatët dhe gazetarët këtë tog të diplomatëve i quanin “mafia e Beogradit” – dhe edhe ata vetë thirreshin ashtu me shpoti në mjedis privat.
Ndërsa shqiptarët nga ky grup cilësoheshin si të rrezikshëm pse sfidojnë status quo-në, serbët i kishin duart e lira ta ndryshojnë çdo status quo. Në mars 1989, Millosheviçi shkeli hapur kushtetutën jugosllave dhe anuloi me forcë autonominë e Kosovës, duke shtypur me tanke e helikopterë protestat e shqiptarëve dhe duke vrarë 24 protestues. Ky vendim nuk u dënua nga diplomatët perëndimorë, biles vlerësohej si “forcim i shtetit ligjor”. Një detaj interesant: më 1988, një vit para heqjes së autonomisë kosovare, kandidati presidencial Bush u kish nisur shqiptaro-amerikanëve një letër ku gjykonte dhunën serbe mbi shqiptarët. “Mafia e Beogradit” në State Departament asokohe nuk la gur pa lëvizur për të tërhequr atë letër, biles në fund doli e gënjeu se letra paskësh qenë “falcifikim”.

Një përmbysje e pjesëshme e paradigmës rreth serbëve dhe shqiptarëve erdhi gjatë viteve 1990. Ajo nuk erdhi lehtë, as nuk ishte e plotë. Të gjithëve na kujtohet deklarata e ambasadorit amerikan në Beograd Robert Gelbard, i cili, gjatë vizitës së tij në Prishtinë në prill 1998, falënderoi Millosheviçin për “sjellje konstruktive ” dhe tha, citoj tekstualisht: “UÇK, pa asnjë dyshim, është organizatë terroriste”. Rikujtojmë, Gelbard u shpreh ashtu mbas masakrave në Likoshan e Qirez, ku serbët kishin vrarë 24 civilë, e mbas plojës së Jasharajve në Prekaz ku ishin vrarë 56 shqiptarë. Pak javë mbas kësaj deklarate Serbia nisi një ofensivë të re, e cila shkaktoi qindra viktima civile, shkretëroi pothuaj gjithë fshatrat e Kosovës, e detyroi 300-400 mijë shqiptarë të marrin malet, duke detyruar amsamblenë e përgjithshme e OKB-së që të dënojë Beogradin për herë të parë.
Në ato vite, “mafia e Beogradit në Washington” kish humbur gradualisht një pjesë të ndikimit që ushtronte mbi politikat amerikane. Kjo ndodhi për tri arsye. Në radhë të parë, kjo do thënë hapur, për arsye morale: shkaku i gjenocidit serb në Bosnje. Gjakderdhja atje kish shfaqur hapur se ku shpie ideja për Serbinë si çelës të paqes në Ballkan. Pasojat morale të atij gjenocidi “mafia e Beogradit” as mundej t’i mohojë, as t’i fshehë nën rrogoz, as t’i ri-interpretojë në mënyra kreative.

E dyta, “mafia e Beogradit” ishte kundërvepruar nga rezistenca paqësore nën dr Rugovën. Narrativi i tyre për Serbinë si çelës të paqes kundrejt fisesh e klanesh të shqiptarëve muslimanë kish hasur në figurën lapidare të një intelektuali të sofistikuar, të shkolluar në Sorbonne, i cili mbante nënë Terezën e Skënderbeun si ikona në zyrë. Për dhjetë vite rresht, rezistenca paqësore kish sajuar, me sakrifica të panumërta, një kundërnarrativ moral ku shqiptarët u bënë mbrojtës të vlerave evropiane, e serbët dëshmoheshin vazhdimisht si barbarë. Gjatë periudhës së dr Rugovës në kongresin dhe në senatin amerikan u krijua për herë të parë një Albanian Caucus, qerthulli shqiptar, një grup politikanësh demokratë e republikanë, kryesisht çifutë amerikanë, që nisën të kundërveprojnë manipulimet e “mafies së Beogradit”. Sot është vështirë të mbivlerësosh rëndësinë vendimtare që ka patur veprimtaria e dr Rugovës për mbijetim të shqiptarëve në Kosovë.

E treta, “mafia e Beogradit” u sabotua përfundimisht edhe nga lufta e UÇK-së. E çfarë çelësi i paqes qenka Serbia kur ja, ajo sa nisi prapë një gjakderdhje të re? Miqtë e ri të shqiptarëve në Washington D.C. tashti kishin një argument të shkëlqyer: shqiptarët jo që s’janë fise e klane, por bëjnë luftë të organizuar e të koordinuar në dy anët e kufirit ndërshqipar. Për dallim prej serbëve barbarë e prorusë, shqiptarët kanë vlera perëendimore, e krerë proamerikanë. Ata po dëshmohen si komb serioz, me vetërespekt, e me gatishmëri për sakrifica. Ndoshta ata janë elementi që duhet mbështetur? Konkluza ishte e vetëkuptueshme. Shqiptarët janë çelës i paqes në Ballkan.

Realizimi se shqiptarët janë komb serioz që vepron në mënyrë unike krijoi edhe në radhët e NATO-s atë që quhej “skenari i makthit”, për të cilin flasin në memoret e veta Wesley Clark, e Madeleine Albright. Bëhet fjalë për një alarm se Kosovës do t’i ndihmojë Shqipëria, duke tërhequr kështu në luftë si efekt domino edhe Greqinë e Turqinë, e duke shkatërruar me themel Maqedoninë. Ky skenar ngjalli kritika të ashpra në Washington D.C. kundër “mafies së Beogradit”, e cila kish nënvlerësuar me dekada shqiptarët si të ndarë në fise e klane, duke siguruar të gjithë se ata nuk janë faktor serioz. Ky tog diplomatësh e politikanësh tashti akuzohej se kanë bërë gjykime të njëanshme për shkak të simpative të veta private, duke i kushtuar shtrenjtë ushtrisë e diplomacisë amerikane.

Gabimi i madh i krerëve shqiptarë gjatë kohës që ka kaluar nga ato vite është se kanë kujtuar që “mafia e Beogradit” në Washington D.C. ka marrë fund. Se diplomacia e ushtria amerikane kanë ndryshuar strategji. Se Washington D.C. “na ka pre teshat” e xhandarit neve, se do të mbështetet mbi elementin shqiptar në Ballkan, si gurthemel të arkitekturës së re të qëndrueshme të paqes.

Asgjë s’mund të jetë më gabim se kjo. E vërteta është se “mafia e Beogradit” vetëm qe dobësuar përkohësisht në vitet 1990. Por, si po shohim tash përditë, ajo nuk ka dhënë shpirt. Biles sot është njësoj e gjallë dhe e fortë si në vitet 1990. Në prill të këtij viti, ajo i ka hapur Beogradit një zyrë ndërlidhëse me diplomatë serbë në lokalet e Departamentit të Shtetit në Washington D.C. – një privilegj ky unik për Serbinë. Dhe oficerët serbë sot trajnohen prapë rregullisht në West Point. Serbia është bërë sërish ajo që ishte. Çelës i sigurisë në Ballkan.

Arsyet pse është forcuar sërish “mafia e Beogradit” në Washington D.C. janë të shumta. Në radhë të parë, pse Serbia hakmarrëse s’ka reshtur për asnjë çast propagandën e vet. Serbian Caucus në kongresin amerikan ka sot 10 kongresmenë, burra e gra që ushqejnë simpati për Serbinë dhe ushqehen me dezinformata nga Serbia. Një tjetër arsye është shpërfaqja e islamizmit politik gjatë viteve 2000, që ka shpier ujë në mulli Serbisë. Është fat i madh që sulmet mbi kullat binjake s’kishin ndodhur më 1999, ndryshe tanket serbe do të flladiteshin ende në Koshare.
Mirëpo, një pjesë e madhe e arsyes pse është forcuar “mafia e Beogradit” ka të bëjë edhe me diletantizmin e shqiptarëve. Kur t’i hipën shqiptari pelës, azdiset e del mendsh. Por ndërsa ne kemi qenë të zënë me grabitje e marrëzi, bedenat e vjetër kanë rënë. Me kalimim e kohës, imazhet e Bosnjes dhe kujtimi i dr Rugovës janë zbehur, ndërsa Albanian Caucus në kongresin amerikan është në vdekje klinike. Gjatë viteve të pasluftës, shqiptarët kanë treguar se bashkimi i luftës ishte një shkëndijë në errësirë, e se shqiptarët ngelin të ndarë e të paaftë për organizim dhe koordinim në nivel të kombit.

Ne jemi lopë që na bën bashkë veç thupra e çobanit serb. Ky është mesazhi që kemi përçuar tash sa vjet. Këtë mesazh e ka amplifikuar “mafia e Beogradit” në Washington D.C. Nuk ka gjë që e përçon këtë mesazh më qartë se Ballkani i Hapur. Është akti që tregon se lopët në Tiranë po pëllasin se u mungon çobani i vjetër. E pra, lopët nuk quhen askund çelës stabiliteti. Çelës stabiliteti është çobani. Prandaj lufta e Ukrainës, në vend se ta dobësojë Serbinë, mundet ta forcojë. Perëndimi ka nevojë për një garant të paqes në Ballkan. Ai ia ka nevojën një çobani. Jo lopëve.

Atyre që janë gdhirë të shokuar se si qenka forcuar sot kaq fort Serbia, u uroj mirëmëngjesi. Keni fjetur gjatë e rëndë. Ndërkohë bota përreth jush ka ndryshuar. Këta amerikanët që nuk po ju ka andja janë pjesë e një strukture të vjetër. E kjo që po ju djeg në lëkurë sot, është thupra e çobanit që është kthyer për ju. Mos lëvizni fort, mos shpurdhni. Mos delni duarsh, se u nxirrni punë.

Related posts

BDI: VMRO DPMNE është organizatë kriminale e vërtetuar nga gjykata

admin

Lajçak nesër vjen në Kosovë në përpjekje për shtensionimin e situatës

admin

Skandaloze! Presidentja Siljanovska fshin krejtësisht gjuhën shqipe nga faqja e presidencës

Gjyla Halili

Leave a Comment