BOTA

Wagner po shkon drejt kryeqytetit rus/ Kryebashkiaku i Moskës thirrje qytetarëve: Kufizoni lëvizjet

Trupat Wagner kanë lëvizur drejt veriut të Rusisë, në drejtim të Moskës.

Më herët këtë pasdite, guvernatori i rajonit të Lipetsk, në jug të Moskës, konfirmoi se Wagner po kalonte rajonin, me video që tregon një autokolonë që shkonte drejt veriut.

Autoritetet ruse janë seriozisht të shqetësuar se trupat e Wagner do të arrijnë në Moskë së shpejti.

Pak më parë, një video e postuar në Telegram dhe e verifikuar nga BBC tregonte kamionë duke bllokuar një urë 97 km (60 milje) nga periferia e Moskës.

Wagner drejt veriut të Rusisë

Kryebashkiaku i Moskës u ka kërkuar njerëzve që të kufizojnë lëvizjet e tyre nëpër kryeqytet. Ai ka njoftuar gjithashtu nisjen e një “operacioni anti terrorist” në qytetin e Moskës, rajonin e Moskës dhe rajonin e Voronezh në jug.

Rajoni i Moskës ka pezulluar të gjitha ngjarjet masive në natyrë deri më 1 korrik, sipas autoriteteve. Gjithashtu këshillohet që të kufizohen udhëtimet nëpër qytet.

Sipas BBC, janë mbyllur edhe disa ura.

Më herët jeta po vazhdonte normalisht në Rusi, edhe pse me prani të madhe sigurie dhe me postblloqe të vendosura për të kontrolluar automjetet.