BOTA

Guatemala voton të dielën për të zgjedhur presidentin mes nacionalistëve e liberalëve (fotot)

Guatemalasit shkojnë të dielën në zgjedhjet e përgjithshme me 22 kandidatë presidencialë.

Nëse asnjë prej tyre nuk merr më shumë se 50 përqind të votës atëherë një raund i dytë do të zhvillohet më 20 gusht.

Mes kandidatëve, tre duket se kanë një avantazh në garë, një ish-zonjë e parë, një diplomat në OKB dhe bija e një ish-diktatori.

“Të gjithë kandidatët janë njëlloj dhe vijnë këtu për të grabitur popullin, unë nuk e di për cilin do votoj”, tha shitësi ambulant Nestor Figueroa për rrjetin AFP në kryeqytetin Guatemala City.

Kandidatja e majtë Sandra Torres më parë ish-bashkëshorte e presidentit Alvaro Colom raportohet se udhëheq me 21.3 përqind të mbështetjes, sipas sondazhit të fundit të gazetës Prensa Libre, e ndjekur më pas nga diplomati centrist Edmond Mulet me 13.4 përqind.

Në vend të tretë me 9.1 përqind raportohet se renditet Zury Rios, bija e ish-liderit ushtarak të vendit Efrain Rios Montt.

Kandidati i presidentit aktual Alejandro Giammattei, Manuel Conde, renditët i katërti me 5.8 përqind të mbështetjes.

Mediat perëndimore thonë se dy kandidatë të rëndësishëm janë skualifikuar nga gara prej gjykatës elektorale, për çka kritikët thonë se janë vendime të njëanshme.

Kandidati me mbështetje të gjerë Carlos Pineda, u skualifikua nga gjykata kushtetuese me akuza parregullsish në regjistrim.

Ndërsa Thelma Cabrera përfaqësuese e grupeve indigjene Maia që përbëjnë rreth 40 përqind të popullatës, u skualifikua për parregullsi financiare.

9.4 milionë nga popullsia prej 17.6 milionë e vendit, kanë të drejtë vote për të zëvendësuar presidentin konservator Giammattei që është akuzuar për autoritarizëm, sipas AFP.

Vendi lejon vetëm një mandat presidencial.