BOTA

15 të vdekur në Iran nga pijet alkoolike artizanale, njoftojnë mediat (fotot)

Pesëmbëdhjetë njerëz kanë vdekur nga helmimi prej alkoolit në Iran pas konsumit të pijeve artizanale alkoolike, raportonin sot mediat shtetërore teksa fatkeqësisht numri i incidenteve të tilla është raportuar në rritje.

“Deri tani 15 njerëz kanë vdekur dhe 180 të tjerë janë prekur nga helmimi ose shtruar spital,” tha Hossein Fazeli Harikandi, gjyqtar i provincës Alborz, ku ndodhën helmimet, sipas agjencisë shteterore IRNA.

Shumica e të shtruarve kanë dalë tashmë nga spitali por disa prej tyre kanë humbur shikimin dhe disa të tjerë kanë pësuar dializë prej dëmeve në mëlçi.

Irani ka ndaluar prodhimin dhe konsumin e alkoolit që prej revolucionit islamik të vitit 1979 por konsumi ilegal vijon në mënyrë të fshehtë.

Kjo ka bërë që tregtia e pakontrolluar e këtyre pijeve të lulëzojë në tregun e zi, ku shpesh gjen produkte me alkoolin e lirë industrial metanol, në vend të etanolit të përdorur në produktet e ligjshme, shkruajnë mediat.

Autoritetet në provincën Alborz thanë se kanë arrestuar gjashtë njerëz dhe kanë sekuestruar më shumë se 6,000 litra alkool nga një fabrikë kozmetikësh, shtoi zëdhënësi Harikandi.

Instituti i mjekësisë ligjore të Iranit tha sot se 644 njerëz kanë vdekur nga konsumi i pijeve ilegale të alkoolit vetëm këtë vit, në një rritje prej 30% për të njëjtën periudhë në krahasim me 12-muaj më parë.

Në maj 2022, tetë njerëz u raportua se humbën jetën në Bandar Abbas pas konsumit të pijeve të pakontrolluara alkoolike.