Skena politike e Malit të Zi, nuk ka pasur qetësi, që pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ku partia e Milo Gjukanoviç, e cila qeveriste prej gati 30 vitesh humbi zgjedhjet, dhe në pushtet erdhi Fronti Demokratik, i përbërë nga forcat politike pro serbe dhe pro ruse. Por në skenën politike kishte dhe një shqiptar, Dritan Abazoviç, i Lëvizjes Ura, i cili u mandatua për të krijuar qeverinë në atë kohë, në koalicion me forcat e tjera politike. Abazoviç ishte shqiptari i parë kryeministër në shtetin malazez. Por le të kthehemi tek rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2023. Në parlamentin malazez me 81 deputetë, do jenë 6 shqiptarë, nga forca të ndryshme politike. Dy partitë nacionale, Forumi shqiptar i kryesuar nga Nik Gjeloshaj, kryetari aktual i komunës së Tuzit fitoi dy deputetë, Aleanca shqiptare e Genc Nimanbegut mori një deputet. Ndërsa tre deputetët e tjera janë Dritan Abazoviç i Lëvizjes Ura dhe dy deputetë nga partia Demokratike e Socialistëve, e ish presidentit Milo Gjukanoviç. Pra në parlament janë 6 deputetë shqiptarë në total. Një fuqizim për çështjet shqiptare në shtetin fqinj. Asnjë parti politike apo koalicion nuk fitoi shumicën për të qeverisur, e duket se verë e nxehtë e pret politikën malazeze. Lëvizja Evropa Tani fitoi 25.5% të votave në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kjo lëvizje jo parlamentare, e cila u formua 10 muaj më parë, siguroi 23 mandate në parlament. Ndërkohë Partia Demokratike e Socialistëve doli e dyta me 23.8% ose 21 mandate. Koalicioni Për të ardhmen e Malit të Zi – koalicion pro serb dhe pro rus, fitoi 14.7% apo 13 mandate. Koalicioni i përbërë nga Demokratët dhe Lëvizja Ura e Kryeministrit aktual Dritan Abazoviç, doli i katërti në këto zgjedhje me 12.3% të votave apo 11 mandate. Rezultate më të mira në zgjedhjet e parakohshme parlamentare arriti Partia Boshnjake e cila siguroi 6 mandate. Dy koalicionet e partive shqiptare Aleanca dhe Forumi shqiptar siguruan 3 mandate në parlamentin e ardhëshëm të Malit të Zi. Në parlamentin, i cili do të numërojë 81 deputetë, do të jetë e përfaqësuar edhe pakica kroate me 1 mandat. Një koalicion i qëndrueshëm pas zgjedhor do të ishte ai i Evropa Tani me partinë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviç. Por nga Lëvizja Evropa të dielën në mbrëmje pas shpalljes së rezultateve u tha, se në asnjë variant nuk do e formojnë qeverinë e re me këtë parti. Varianti i dytë është formimi i shumicës midis Lëvizjes Evropa tani dhe koalicionit të Demokratëve dhe partisë Ura dhe partive të pakicave, por edhe në këtë variant ka mosmarrëveshje duke marrë parasysh me akuzat e ndërsjella dhe aferat një javë para zgjedhjeve midis partisë së Kryeministrit aktual Dritan Abazoviç dhe Liderit të Lëvizjes Evropa Tani, Milojko Spajiç. Në këtë ekuacion, partia që kryeson me mandate pritet të nis bisedimet më partitë e tjera, e në këtë rast mbetet për tu parë nëse në konfigurimin e qeverisë së re do jetë Forumi shqiptar dhe Aleanca shqiptare me tre deputetë. Vetë presidenti Jakov Millatoviç pret që qeveria e re të formohet shpejt siç ka thënë ai “në mënyrë efikase dhe në përputhje me vullnetin elektoral të qytetarëve”. Sido që të shkojnë negociatat për formimin e qeverisë së re malazeze, një gjë mund të thuhet me siguri, se shqiptarët në Mal të Zi, po forcojnë pozitat e tyre parlamentare, institucionale nga viti në vit. Tashmë shqiptarët janë faktorë paqeje dhe stabiliteti në të gjithë rajonin, ashtu si roli i shqiptarëve edhe në pjesë të tjera si shqiptarët në Preshevë të cilët janë të përfaqësuar në parlamentin e Serbisë.