Zyrtarët e lartë të Koresë së Veriut u zotuan se do të bëjnë një përpjekje të dytë për të lëshuar një satelit spiun, pa treguar se kohën kur mund të ndodhë.
Dështimi i muajit të kaluar për të lëshuar satelitin në orbitë u quajt ‘mangësia më serioze’ e këtij viti dhe u hodhën kritika të ashpra për ata që janë përgjegjës, raportoi media shtetërore të hënën.
Në fund të majit, një raketë koreano-veriore që mbarte një satelit zbulues ushtarak u rrëzua menjëherë pas ngritjes, duke penguar kështu përpjekjet e udhëheqësit Kim Jong Un për të ndërtuar një sistem mbikëqyrjeje në hapësirë për të vëzhguar më mirë Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut.
Nisja e dështuar e satelitit dhe përpjekjet e Koresë së Veriut për të modernizuar arsenalin e saj të armëve u diskutuan gjerësisht në një takim tre-ditor të partisë në pushtet që përfundoi të dielën, me praninë e udhëheqësit Kim dhe zyrtarëve të tjerë të lartë.
Një njoftim i gjatë i Agjencisë Qendrore të Lajmeve Koreane (KCNA) për takimin nuk tregon qartë se kush foli, por tha se gjatë takimit u ‘kritikuan ashpër zyrtarët që kryen në mënyrë të papërgjegjshme përgatitjet për nisjen e satelitit’.
Njoftimi nuk thotë saktësisht se kur Koreja e Veriut mund të bëjë përpjekjen e dytë për të nisur satelitin. Agjencia e zbulimit të Koresë së Jugut më herët u tha ligjvënësve të vendit se do të duheshin “më shumë se disa javë” që Koreja e Veriut të përcaktojë se çfarë shkoi gabim në lëshimin e dështuar.
Gjatë takimit, anëtarët e Byrosë Politike analizuan gjithashtu “situatën jashtëzakonisht të përkeqësuar të sigurisë” në rajon të shkaktuar nga “lëvizjet e pamatura luftarake” të rivalëve të Koresë së Veriut, thuhet në raport, duke iu referuar me sa duket stërvitjeve të zgjeruara ushtarake SHBA-Kore e Jugut.
Anëtarët e Byrosë Politike përcaktuan “detyra të rëndësishme”, pa treguar për çfarë bëhet fjalë, për forcimin e solidaritetit me vendet që “kundërshtojnë strategjinë bandite të SHBA-së për supremaci botërore”, thuhet në raportin e agjencisë së lajmeve KCNA.
Koreja e Veriut ka bërë përpjekje për të forcuar marrëdhëniet me Rusinë, duke mbrojtur agresionin rus në Ukrainë. Koreja e Veriut thotë se Rusia po mbron veten kundër “politikës hegjemoniste” të Perëndimit.
Koreja e Veriut gjithashtu ka kërkuar të forcojë lidhjet me Kinën, aleaten dhe përkrahësen ekonomike kryesore që është angazhuar në një rivalitet strategjik të intensifikuar me Shtetet e Bashkuara mbi tregtinë, teknologjinë dhe ndikimin rajonal.
Rusia dhe Kina, të dyja anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje, kanë bllokuar vazhdimisht përpjekjet e SHBA-së dhe të tjerëve për të ashpërsuar sanksionet e OKB-së ndaj Koresë së Veriut për provat e saj me raketa.
Është praktikisht e pamundur të verifikohen pretendimet e Koresë së Veriut, një nga vendet më të izoluara në botë. Ekspertët thonë se nuk ka shenja të trazirave sociale ose urisë në Korenë e Veriut, pavarësisht nga vështirësitë e shkaktuara nga pandemia.
Agjencia e lajmeve KCNA nuk tha nëse udhëheqësi Kim foli gjatë mbledhjes plenare të Komitetit Qendror të Partisë së Punëtorëve.
Koo Byoungsam, zëdhënës i Ministrisë së Unifikimit të Koresë së Jugut, tha se do të ishte shumë e pazakontë që zoti Kim të ulej në një takim partie të nivelit të lartë pa mbajtur një fjalim. Zoti Koo tha se mungesa e dukshme e një fjalimi të udhëheqësit Kim mund të jetë si rezultat i dështimit të lëshimit të satelitit dhe mungesës së arritjeve ekonomike të Koresë së Veriut./VOA
Top Channel