Tashmë është zyrtare! Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari bashkohen në projektin e ri filmik. Prej disa kohësh është përfolur në rrjet për një film që po bëhej gati dhe në role kryesore do të ishin dyshja më e komentuar dhe më e famshme në Shqipëri.
Luiz Ejlli dhe Olta Gixhari do të jenë pjesë e filmit “Në kuadër të dashurisë”. Nga “rivalë”’ në shtëpinë e “Big Brother VIP”, Top Channel, raporton se ata vijnë tashmë si burrë dhe grua në filmin që parashikohet të thyejë rekorde.
Ky film do të jetë një komedi romantike, ku nuk do të mungojnë të qeshurat, por as lotët. “Në kuadër të dashurisë” shfaq një histori dashurie në kohët moderne që ndërlidh jetët e dy njerëzve dhe të familjeve të tyre.
Një çift i martuar prej vitesh janë në buzë të ndarjes. E ndërsa gatisin letrat e divorcit, një ftesë iu vjen nga mamaja e vajzës për një festë surprizë ditëlindjeje. Të gjendur para sikletit, çifti vendos të lënë Tiranën, e të nisen në Korçë, në këtë vizitë e cila bashkon familjet e të dyja palëve.
Pikërisht kjo vizitë do t’i tregojë atyre të vërteta të hidhura për veten dhe njerëzit e afërt duke bërë të ri-mendojnë edhe njëherë gjithçka.
Titulli i këtij filmi është frymëzuar nga shprehja e famshme brenda shtëpisë së Big Brother “në kuadër të lojës”. “Në kuadër të dashurisë” do të nisë xhirimet këtë muaj në qytetin e Korçës.