KOSOVË

Kosova e Serbia të marrin përgjegjësi për stabilitetin rajonal

“Po u kërkojmë të dyja palëve ta marrin pjesën e përgjegjësisë për stabilitetin rajonal. Ato që duan të bëhen partnere me ne, do të punojnë së afërmi me evropianët dhe amerikanët për pikat në të cilat ne po insistojmë për të ecur përpara. Sepse kjo është çështje rajonale. Një shtet dhe një udhëheqës nuk do ta përcaktojë rrugën e stabilitetit rajonal dhe evropian. Kështu që, ata që e refuzojnë partneritetin do të shohin pasoja”, ka thënë emisari amerikan

Kosova e Serbia duhet të marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë për stabilitetin rajonal, meqë ndikimi i raporteve mes tyre shkon përtej këtyre dy vendeve, ka thënë emisari i amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një konferencë online për media të premten.

“Po u kërkojmë të dyja palëve ta marrin pjesën e përgjegjësisë për stabilitetin rajonal. Ato që duan të bëhen partnerë me ne, do të punojnë së afërmi me evropianët dhe amerikanët për pikat në të cilat ne po insistojmë për të ecur përpara. Sepse kjo është çështje rajonale. Një shtet dhe një udhëheqës nuk do ta përcaktojë rrugën e stabilitetit rajonal dhe evropian. Kështu që, ata që e refuzojnë partneritetin, do të shohin pasoja”, ka thënë ai. Ka shtuar se termi sanksione nuk është i duhuri për t’u përdorur tani dhe se as ambasadori amerikan në Kosovë dhe as ai në Serbi nuk e përdorin këtë term kur bisedojnë me autoritet.

Escobari ka thënë se zgjidhja për deeskalim është plani trepikësh i BE-së.

“Pozicioni ynë është në masë të madhe në vijë me të Bashkimit Evropian. Ne besojmë se kryetarët duhet të punojnë nga lokacione alternative; që forcat speciale policore duhet të largohen nga pozita rreth ndërtesave; që të largohen protestuesit nga rruga; ne besojmë kushdo që ka kryer akte të dhunshme ndaj KFOR-it apo Policisë së Kosovës duhet të mbahen përgjegjës, ne besojmë se zgjedhjet e hershme me pjesëmarrje të pakusht të serbëve duhet të mbahen sa më shpejt dhe duhet që menjëherë të përfshihemi në dialog që të sigurohemi se Marrëveshja e Ohrit që mban premtim të madh për stabilizimin e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës – që të dyja palët menjëherë të përfshihen në këto bisedime”, ka thënë ai.

Emisari amerikan ka folur edhe rreth asaj se si e sheh rolin e palëve në situatën e krijuar në veri.

“Çështja është se Serbia nuk ka shënuar përparimin që kemi dashur ne në rrugën drejt raporteve paqësore normale me Kosovën, por mund të them se shumë nga ajo që po ndodh, duke filluar nga nëntori, kanë qenë aksionet unilaterale nga Kosova për të imponuar zgjidhje që nuk janë të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar, që kanë efekt në jetën e njerëzve që jetojnë në veri të Kosovës. Kjo përfshin çështjen e targave që ne i kemi kërkuar të koordinohet me ne, çështja e dokumenteve të identifikimit, çështja e ekspropriacionit dhe edhe kërkesa të tjera që përfshijnë Asociacionin”, ka deklaruar ai.

Escobari ka deklaruar se nuk është e vërtetë që SHBA-ja ka mbështetur Serbinë më shumë se Kosovën, pas një pyetjeje që iu shtrua rreth kësaj çështjeje. Ai numëroi disa argumente që, sipas tij, e dëshmojnë këtë.

“Serbia nuk ka dashur që të shkojë përpara aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, ne e kemi mbështetur. Serbia ka dashur që Kosova t’i anulojë zgjedhjet, por ne i kemi mbështetur, Serbia ka dashur që zgjedhjet të shpallen të paligjshme për shkak të daljes së ulët, ne i kemi mbështetur ato, Serbia nuk ka dashur që të njihet legjitimiteti i kryetarëve të rinj, ne i kemi njohur ata. Dhe e sfidoj gjithsecilin që të gjejë diçka që ne kemi bërë, e që nuk ka shkuar në të të mirë të Kosovës. Legjitimiteti i tyre nuk do të vihej në pyetje nëse do të punonin në objekte të tjera, në vend të kësaj insistuan në objektet komunale. Për çfarëdo arsye që vazhdojnë të refuzojnë, ne do të insistojmë. Do të ketë pasoja nëse vazhdojnë të na injorojnë këshillat tona”, ka thënë Escobari.

Sa i përket kritikës së kryeministrit Albin Kurti, se KFOR-i ka heshtur për arrestimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, Escobari ka thënë se janë në pritje të fakteve, megjithatë adresimin e ka filluar duke thënë se janë duke e ndjekur “rastin e arrestimit të tre policëve të Kosovës në Serbi”.

“Janë dy skenarë, një se ata janë kidnapuar nga brenda territorit të Kosovës dhe janë dërguar në Serbi, ose ata pa dashje kanë kaluar kufirin ku kanë gjetur veten brenda territorit të Serbisë. Në çfarëdo rasti, është e qartë se këta policë nuk kishin qëllim të ishin në Serbi dhe duhet të lirohen”, ka deklaruar ai.

Escobari u pyet nëse do të marrë pjesë në takimin që do të mund të mbahet në Bruksel javën e ardhshme, nën organizim të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, për shkak të raporteve SHBA-Kosovë pas zhvillimeve në veri, Escobari ka thënë se përpjekjet për shtensionim e kanë mbështetjen amerikane, pavarësisht pjesëmarrjes.

“Varësisht prej përgatitjeve që do të kemi, do të vendosim nëse do të shkoj në Bruksel. Por, pa asnjë dyshim, këto përpjekje do ta kenë mbështetjen amerikane”, ka shtuar Escobar.

Escobari ka thënë se beson që Qeveria e Kosovës duhet të heqë ndalesën ndaj mallrave serbe në kufi.

“BE-ja beson se diçka e tillë jo vetëm që është joevropiane, po as nuk ekziston bazë ligjore. Ne e mbështesim këtë qëndrim dhe besojmë se është përshkallëzim i panevojshëm i një situate veçse të tensionuar”, ka thënë ai.

Ai në këtë konferencë ka folur edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se ai është obligim ligjor.

“Duke e refuzuar këtë obligim, Kosova po e refuzon obligimin evropian, sepse është marrëveshje edhe mes Kosovës dhe BE-së. Nuk po i kërkojmë të bëjë diçka që nuk duhet ta bëjë, po i kërkojmë ta bëjë brenda kornizave. Çfarë nuk kuptojmë është se pse Qeveria e Kosovës refuzon të pranojë obligimet e saj ligjore. E kemi dëgjuar Kurtin të thotë se do vetëm sundimin e ligjit. Nëse duam të flasim për sundim të ligjit Asociacioni është pjesë e tij”, ka theksuar Escobar.

I pyetur nëse ende është optimist siç ka qenë para takimit të Ohrit për arritje të një marrëveshjeje brenda një viti, Escobari ka thënë se me gjithë telashet e shkaktuara në veri që e kanë zvarritur procesin, ai beson se do të arrihet rezultati i pritur. Escobari ka folur për marrëveshjen e cila ai është optimist se do të arrihet.

“Kjo marrëveshje i ndihmon Kosovës të ecë më shpejte dhe më përpara në procesin integrues euroatlantik. Marrëveshja i kërkon Serbisë të njohë integritetin territorial, kontrollin administrativ të tërë vendit, sovranitetin, flamurin, simbolet, dokumentet qeveritare dhe po ashtu të mos e bllokojë Kosovën në asnjë strukturë ndërkombëtare. Me fjalë të tjera, Serbinë e bën të pranojë pashmangshmërinë që Kosova të jetë anëtare e plotë e familjes euroatlantike. Në të njëjtën kohë e bën Kosovën të ndërmarrë hapa në pajtimin ndëretnik, përfshirë krijimin e Asociacionit”, ka deklaruar Escobari.

Related posts

Kurti: 600 mijë euro për Onkologjinë, investim substancial

Gjyla Halili

Tahiri: Nuk i votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, vendin duam ta dërgojmë në zgjedhje

Gjyla Halili

Kuvendi i Drenasit miraton listën paraprake të pronave për dhënien në shfrytëzim, Lladrovci falënderon asamblistët

Gjyla Halili

Leave a Comment