SPORT

Dardanët optimistë, Vedat Muriqi kërkon trepikëshin ndaj Rumanisë

Kombëtarja e Kosovës e ka mbajtur sot seancën e parafundit para ndeshjes me Rumaninë, që zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri” në orën 20:45.

Edhe stërvitja e sotme ka qenë me intensitet, ku përzgjedhësi Alain Giresse ka punuar në disa prej skemave të lojës, si dhe në finalizim të aksioneve.

Atmosfera në ekipin dardan para kësaj ndeshje tejet të rëndësishme është mjaft e mirë, derisa optimizmi për fitore është i lartë. Vedat Muriqi, sulmues i shquar i Kombëtares së Kosovës, ka shprehur besimin në sukses pas një jave punë intensive dhe përkushtimit të ekipit.

Ai beson se ekipi është gati për këtë sfidë dhe shpreson në fitore. Muriqi i ka vlerësuar ndeshjet me Rumaninë dhe Bjellorusinë si shumë të rëndësishme për fatin e Dardanëve në kualifikimet për Euro 2024.

“Shumicën e përgatitjeve që është dashur t’i bëjmë tashmë i kemi bërë. Sonte e kemi edhe videoanalizën e kundërshtarit për të parë se si luajnë dhe çfarë taktike bazë e kanë.

Deri sot kemi ushtruar me intensitet, teksa nesër do të jetë një stërvitje më e lehtë.

Jemi optimistë në radhë të parë, që besoj është më kryesorja, por edhe jemi lojtarë që punojmë shumë, prandaj shpresoj në trepikësh në ‘Fadil Vokrri’ para tifozëve tanë. Këto pa dyshim janë dy ndeshje kruciale.

Fillimisht kemi përballë Rumaninë, e cila ka katër pikë më shumë  se ne dhe nuk mund të parashikoj situatë tjetër përveç tre pikëve.

Çdo rezultat tjetër mund të na shkatërrojë dhe të na shkaktojë dhimbje e po ashtu edhe një destabilitet siç e kemi pasur në kualifikimet e kaluara.

Prandaj, është i domosdoshëm trepikëshi në radhë të parë me Rumaninë, e pastaj me Bjellorusinë në Budapest është histori tjetër.

Mesazhi për ‘Dardanët’? Ata gjithmonë na kanë përkrahur, edhe kur s’kemi luajtur mirë apo kemi qenë të dobët.

Stadiumi gjithmonë ka qenë i mbushur nga tifozët. Ata vetëm duhet të kenë durim dhe të na përkrahin deri në fund të ndeshjes. Me euforinë që do të na japin besoj se do të jenë një forcë shtytëse për ne”, ka theksuar Muriqi.

Kombëtarja e Kosovës nesër do ta ketë stërvitjen e fundit, teksa përzgjedhësi Alain Giresse dhe njëri prej futbollistëve do të paraqiten në konferencë për media para duelit me rumunët.

/BotaSot/

Related posts

Ofertë e re për Junus Musahun

admin

FC Prishtina 01 fituese e trofeut “Adem Jashari” në futsall

admin

Giresse i dashuruar me Kosovën: I vesh mbesat me veshje kombëtare dhe dëgjon këngën e Adem Jasharit

admin

Leave a Comment