Për dy ditë me radhë, më 9 dhe 10 qershor, në Manastir, i zhvilloi punimet Konferenca e VII-të mbarëkombëtare e arkivistikës shqiptare, e cila sivjet përkoi edhe me shënimin 145 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Organizatorët e kësaj Konference ishin Institutiti i Trashëgimisë Shpirtërore të Shqiptarëve, Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës dhe Drejtoria e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë. Në këtë veprimtari me një fjalë përshëndetëse u paraqit edhe Mehmet Prishtina, themelues i Fondacioni “Hasan Prishtina”.
Kësaj Konference i parapriu hapja e Këndit Arkivor në Muzeun e Alfabetit, një segment ky mjaft i rëndësishëm që valorizon të kaluarën dhe të sotmen përmes hulumtimit arkivor, që do të bëhet në këtë muze e që është një kontribut me vlerë i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë dhe drejtorit të saj, Ardit Bido.
Duke iu uruar punë të mbarë pjesëmarrësve të kësaj Konference, drejtori i ITSHKSH, Pro.dr. Skender Asani, u shpreh se kjo ngjarje ka një peshë të rëndësishme, për më tepër që qyteti ku ajo mbahet sivjet ka shërbyer si pikëtakim i rilindësve tanë në një hap të rëndësishëm historik (14-22 nëntor 1908) , siç ishte unifikimi i alfabetit gjuhës shqipe.
“Në emër të gjithë institucioneve bashkorganizatore të kësaj konference, u japim porosi elitave shtetërore në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni por edhe shqiptarëve në botë, që të bëhemi të unifikuar në daljen me një zë për çështjen shqiptare”, u shpreh Asani.
Ai uroi që arkivat e Shqipërisë dhe Kosovës të ndihmojnë në zgjerimin e horizonteve sa i përket trajtimit të temave të ndryshme nga historiografia për të dëshmuar se përpjekjet për të deatomizuar çështjen shqiptare nuk do të jenë të mundura.
Kjo ngjarje përkon dhe me zyrtarizimin e Departamentit rajonal për trashëgimi kulturore në Manastir, i pagëzuar “Qiriazi”, pjesë e të cilit do të jetë vetë pasardhësi i kësaj familje fisnike shqiptare, Oliver Qiriazi. Ky i fundit me këtë rast pati edhe një fjalë përshëndetëse, me ç’rast audiencës iu drejtua në gjuhën shqipe duke shprehur gëzimin dhe mirënjohjen e tij të thellë.
“Tash e tutje, ne ortodoksët shqiptarë të Manastirit do t’i shtojmë kalendarit të festave tona edhe një festë të re. Tash e tutje do ta memorojmë në kokat tona themelimin e Departamentit rajonal të trashëgimisë kulturore, këtu në Manastir, që mban emrin e shenjtë të familjes Qiriazi, si një festë që bashkon rreth një institucioni energjitë krijuese e hulumtuese, në funksion të njohjes sa më shkencore të trashëgimisë sonë kulturore e shpirtërore të rajonit të Pellagonisë”, tha Qiriazi dhe falënderoi drejtorin Asani për përpjekjet që po bën në rikthimin e Manastirit në fokusin e vëmendjes institucionale.
Në fjalën e tij përuruese Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, vuri theksin te dimensioni mbarëkombëtar i kësaj konference, ndërkaq duke folur për rëndësinë e hapjes së Këndit Arkivor në Muzeun e Alfabetit, tha se kjo po bëhet me një besim dhe vizion të fuqishëm. “Sidomos aty ku ka trysni të madhe, ku shqiptarët janë pakicë dhe ku nuk i kanë të drejtat e tyre të plota, ne duhet të tregojmë prezencën tonë”, nëvizoi Bido, i cili gjithashtu shprehu mirënohje për mbështetjen e ITSHKSH-së në organizimin e shumë veprimtarive të përbashkëta.
“Pa ITSHKSH ne do të ishim të cunguar. Ne nuk kemi bashkëpunimin që do të duhej të kishim me homologun tonë natyror, Arkivin e Maqedonisë së Veriut dhe nëse nuk do të kishim bashkëpunim të shkëlqyer me ITSHKSH-në dhe drejtorin e tij Skender Asanin, nuk do të kishim podiumin as teorik që të vinim në Maqedoninë e Veriut, si në shtëpinë tonë”, u shpreh Bido.
Gjatë konferencës u trajtuan çështje të shumta që kanë të bëjnë me arkivistikën, duke nisur nga tema si rëndësia e arkivave, bashkëpunimi rajonal i arkivave, digjitalizimi i tyre, problematikat apo projektet për të ardhmen, siç është qendra multifunksionale e arkivave në Tiranë e deri te punime që shqyrtojnë kontekste specifike historike të arkivuara, përfshi edhe punimet e studuesit të arkivave të Vatikanit Mark Palnikaj.
Ndër pjesëmarrësit e shumtë ishin edhe studiuesit e ITSHKSH-së, duke filluar nga sekretari shkencor, Prof. dr. Sefer Tahiri i cili ishte drejtues i tryezës së parë të kumtesave, ku morën pjesë edhe Emin Azemi me kumtesën “Veprimtaria e panjohur e Jashar Erebarës në arkivat e kohës” si dhe Besnik Rametit, “Shkup midis dy luftërave botërore në arkivat e kohës”.
Në mbyllje të konferencës dyditore, përfaqësuesit e institucioneve bashkëpunuese, Skender Asani, Lorenc Agalliu dhe Zait Aliu, shprehën falënderimin e tyre të sinqertë dhe vlerësim të lartë për të gjitha kumtesat të cilat i dhanë kësaj ngjarjeje një peshë të rëndësishme shkencore dhe kulturore, me urimin që vitin tjetër të realizohet një takim i njëjtë në një vend tjetër të trevave tona, në mënyrë që të vijojë dhe më fuqishëm puna e përbashkët në përparimin e arkivistikës, si mbrojtëse dhe promovuese e trashëgimisë së sonë kulturore e kombëtare.