AKTUALE

Besimi: Plani i ri i BE-së nënkupton qasje në më shumë fonde për zhvillim dhe integrim të përshpejtuar të Ballkanit Perëndimor

Plani i ri i BE-së për përafrimin dhe përkrahjen ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor nënkupton fonde shtesë të BE-së për projekte zhvillimore dhe infrastrukturë, ndërsa për kompanitë tona do të thotë qasje e lirë në një treg prej gjysmë miliardi konsumatorësh. Kjo nismë, së bashku me Planin nacional për përshpejtimin e rritjes ekonomike, do të ndikojnë në rritjen e aktivitetit investues dhe konkurrencës dhe si rrjedhojë edhe në përshpejtimin e rritjes ekonomike, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në kolumnën e tij të fundit.

Sipas njoftimit të kryetarës së Komisionit Evropian, nisma e re për përkrahjen e
vendeve të Ballkanit Perëndimor bazohet në katër shtylla: 1) Përafrimi drejt tregut të
vetëm të BE-së, 2) Integrimi ekonomik rajonal, 3) Përshpejtimi i reformave
fundamentale dhe 4) Stimulimi i rritjes ekonomike përmes rritjes së fondeve aderuese.

”Vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë që shumë më herët t’i ndjejnë
benefitet e shtytësit kryesor të suksesit ekonomik të Bashkimit Evropian – tregut të
përbashkët. Me shumë mundësi, kjo qasje do t’i referohet një prej segmenteve më të
mëdha të tij, respektivisht tregut të vetëm dixhital, i cili i referohet shkëmbimit të
mallrave dhe shërbimeve përmes kanaleve dixhitale. Ai përfshin fusha të tilla si tregtia
elektronike, siguria kibernetike dhe lehtësimi i shërbimeve të pagesave dhe tregtia e
mallrave. Ekonomia e përbashkët rajonale mund të ndihmojë në përshpejtimin e
procesit të aderimit në BE, por gjithashtu integrimi ekonomik rajonal është esencial për
nxitjen e potencialit të madh ekonomik të rajonit duke e bërë atë më tërheqës për
investitorët e huaj. E njëjta gjë është edhe me reformat paraaderuese, sepse sundimi i
ligjit dhe gjyqësori efikas dhe kredibil janë sinjale pozitive për investitorët e huaj, ndërsa
tranzicioni i gjelbër dhe sigurimi i qëndrueshmërisë së energjisë janë kruciale për
stabilitetin dhe rritjen e qëndrueshme. Nevojitet në mënyrë urgjente rritja e investimeve
në rajon, me ç’rast do të rritet standardi i jetesës dhe do të ofrohet përkrahje në
përafrimin drejt BE-së”, shkruan ministri.

Ministri thekson gjithashtu se në të njëjtin drejtim është edhe Pani nacional për
përshpejtimin e rritjes ekonomike, i cili bazohet në të njëjtat premisa dhe ka të njëjtin
pikësynim.

“Nëse analizojmë strukturën e planit të BE-së, ajo orientohet në përforcimin ekonomik,
lidhjen e rajonit, përmirësimin e konkurrencës së ekonomive dhe rritjen e investimeve.
Nëse shqyrtohet Plani nacional për përshpejtimin e rritjes, mund të konkludohet se një
pjesë e madhe e strukturës është e njëjtë, ashtu edhe pikësynimet. Nëpërmjet zbatimit
të dy planeve, nuk do të mungojë përkrahja e Bashkimit Evropian dhe perspektiva e
qartë për qëllimin përfundimtar “sjellja e Evropës në shtëpi”, respektivisht sigurimi i
mirëqenies për qytetarët”, thekson Besimi.

Related posts

VLEN: Sela dhe Lloga kanë kohë deri të shtunën të ndërrojnë mendje!

Gjyla Halili

Arrestimi i serbëve për krime lufte, BE: Jemi në kontakt me autoritetet në Prishtinë

admin

NATO-ja do të dërgojë dhjetëra mijëra tenda në Turqi

admin

Leave a Comment