KOSOVË

Nëse ka pajtueshmëri, mund ta thelloj vizionin për Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se mund ta thellojë draft-vizionin e paraqitur nga ai për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, por së pari, sipas tij, duhet të ketë pajtueshmëri mes palëve.

Gjatë rundit të dialogut me Serbinë më 2 maj në Bruksel, Kurti kishte paraqitur një draft-vizion lidhur me çështjen e rregullimit të komunitetit serb. Pavarësisht se në këtë draft-vizion nuk përmendet Asociacioni, ai thirret në nenin 7 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve që Kosova dhe Serbia arritën më 27 shkurt në Bruksel. Më pas, palët më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e marrëveshjes.

Ky nen i marrëveshjes kërkon që palët të sigurojnë “një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.

“Unë këtë [draft-vizionin për Asociacionin] mund të thellojë, por thellimi i kësaj nënkupton pajtueshmëri në parim. Pra, kur të pajtohemi në parim, përfshirë edhe ato shtyllat që ju i përmendën se unë i kam thënë në parim, kur të pajtohemi në parim atëherë lirisht mund të thellojmë tekstin. Por, nuk mund të shkruajmë tekste alternative ndërmjet të cilëve mund të gjendet një mesatare aritmetikore pa u pajtuar njëherë në parim”, tha Kurti gjatë seancës plenare të Kuvendit të Kosovës më 8 qershor.

Në draft-vizionin për Asociacionin të prezantuar nga Kurti, thuhet se për të arritur deri te një draft-statut për Asociacionin, ai duhet t’i plotësojë disa kushte – mes tjerash, “t’ua ofrojë pjesëtarëve të komunitetit serb në Kosovë mundësinë për të promovuar dhe mbrojtur interesat e veta përmes një kornize vetëmenaxhimi”.

Pas kësaj, sipas draft-vizionit, do të duhej të parashihej edhe mundësia për bashkëpunim me institucionet e Kosovës, si dhe të “njihen plotësisht karakteristikat kushtetuese” të Kosovës, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

Më 2 maj, në Bruksel, Ekipi Menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit, kishte prezantuar një draft për këtë çështje.

Por, Qeveria e Kosovës e kishte refuzuar të njëjtin dhe më pas kishte shkarkuar Ekipin Menaxhues, të përbërë prej katër anëtarësh serbë.

“Qeveria ime nuk është pajtuar me draftin e Ekipit Menaxhues, për shkak se ai draft imitonte në përmbajtje dhe formë Republikën Serbe të Bosnje dhe Hercegovinë. Rrjedhimisht, unë kam propozuar një draft-vizion për të zbatuar nenin 7 të Marrëveshjes Bazike dhe në lidhje me nenin 10, për të cilin nuk kam pranuar së pari aprovimin e palës tjetër – e cila nuk e pranoi fare dokumentin – e më pas edhe të Brukselit zyrtar, i cili vazhdon të konsiderojë këtë çështje të hapur. Tash e tutje mund të diskutojmë në kuadër të dialogut të Brukselit, pra është një çështje e hapur nga pikëpamja e Brukselit, për zbatimin e nenit 7 të marrëveshjes sipas vizionit tim të prezantuar në Bruksel, dhe i cili prezanton shkronjën dhe frymën e Kushtetutës së Republikës sonë, konsensusin transatlantik të vlerave të demokracisë liberale”, tha Kurti para deputetëve.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015, palët kanë nënshkruar edhe Marrëveshjen për parimet për themelimin e Asociacionit.

Po ashtu, në nenin 10 të Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve thuhet se Kosova dhe Serbia zotohen që të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e dialogut, përfshirë edhe atë për Asociacionin.

Related posts

Mora një tjetër letër kërcënuese

admin

Krimet e Serbisë në Kosovë s’mund të falen e as nuk do të harrohen

admin

Austria dëbon katër diplomatë rusë

admin

Leave a Comment