KOSOVË

Rruga për ferr është e ndërtuar me qëllime të mira, thotë Kusari-Lila për draft-statutin e Ramës për Asociacionin

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila deklaroi sot se nuk e kanë parë draft-statutin e propozuar nga kryeministri Edi Rama.

“Përtej asaj se një iniciativë ndoshta me qëllim të mirë, por që mund të shkoj keq, është një thënie e vjetër që thotë se ‘rruga për në ferr është e ndërtuar me qëllime të mira. Prandaj nuk e shoh jashtë këtij konteksti as këtë propozim”, deklaroi Kusari Lila, derisa tregoi se nuk e kanë parë draft-statutin e Asociacionit.

“Ne nuk kemi si ta shohim, për arsye se nuk e kemi parë atë draft-statut. Siç ka thënë vet kryeministri Rama, nuk është konsultuar. Unë mendoj që specifikat dhe rrethanat e këtij procesi në Kosovë, janë të tilla që duhet pasur në konsideratë, krejt historinë e këtij procesi dhe natyrisht rëndësinë e kuptimit të rrjedhës përpara bazuar në parime”, tha ajo.

Ajo tha se raportet me Shqipërinë janë më tepër se fqinjësore. Kusari-Lila u shpreh se draft-statuti i Ramës para se të shkojë Francë dhe Gjermani, duhet të jetë i Kosovës.

“Ky dokument i shkruar nga zotëri Rama besoj përfundon atje për ku është nisur. Ai dokument nuk është për Francën, për Gjermaninë e shtetet tjera. Ai dokument është për Kosovën, para se të shkojë atje duhet të jetë i Kosovës, me Kosovën dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ne nuk kemi nevojë për një shpëtimtar në formën e ofrimit të një drafti të statutit. Ne kemi nevojë për elaborim dhe pronësi të parimeve, të cilat do të jenë në fokus me funksionimin e shtetit, me të drejtat e komuniteteve në Kosovë, e natyrisht edhe me pronësi dhe qartësi për të ardhmen e vendit tonë”, shtoi Kusari-Lila.

Ndryshe, kryeministri shqiptar, Edi Rama ka deklaruar se e ka dorëzuar një draft të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, te presidenti francez Emmanuel Macron, dhe kancelari gjerman, Olaf Scholz. Për këtë dokument, ai ka thënë se i ka vënë në dijeni edhe presidentin e Këshillit Evropian dhe amerikanët. Rama ka thënë se drafti është i punuar nga ekspertë dhe sipas tij pret që i njëjti të vlejë për të çuar në një nivel tjetër dialogun Kosovë-Serbi.

Related posts

Ndryshime tektonike në veri të Kosovës

admin

“E konsideroj të pakuptimtë”, Vuçiq thotë se nuk do të takohet me Kurtin në Bruksel

admin

Nëse nuk ç’tensionohet situata në veri të Kosovës do të ketë pasoja

admin

Leave a Comment