Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur në një konferencë për media se dje ua ka përcjellë një draft për Asosacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.
“Jam këtu për t’ju bërë të ditur një fakt të panjohur më parë. Dje ua kam përcjellë Scholzit dhe Macronit një draft të Asosacionit, për të cilin kam vënë në dijeni edhe Charles Michel dhe palën amerikane”, tha Rama gjatë konferencës.
Rama tha se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionin dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.
Rama tha se nuk është konsultuar për këtë draft me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. Ai tha se drafti është hartuar nga ekspertë të pavarur, ndërsa shtoi se edhe ai vetë ka dhënë kontribut.
“Albin Kurtin po e fajëson bota e tërë demokratike dhe kjo më shkakton vetëm keqardhje. Unë nuk jam as për të gjykuar, as sulmuar Albin Kurtin. Po përpiqem të kontribuoj, pasi njëri [Kurti] çon policinë në godina bosh, tjetri [Vuçiq] con ushtrinë në kufi”, tha Rama.
Ai tha se Kurtin e ka mbështetur në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga BE-ja dhe do të vazhdojë ta mbështesë në “rrugën e njohjes së ndërsjellë”.
“Ndërkombëtarët janë të zotët e shtëpisë në Kosovë, nëse ata i kthejnë shpinën, mos ndodhtë kurrë, por ajo shtëpi [Kosova] hyn në ditët e saj më të errëta”, shtoi ai, duke bërë thirrje që Policia e Kosovës të tërhiqet.
Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje drejt normalizimit të raporteve më 27 shkurt në Bruksel, si dhe u pajtuan për aneksin e zbatimit të saj në Ohër më 18 mars.
Marrëveshja e Ohrit kërkon që palët të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Në fjalimin e tij, Rama gjithashtu shtoi se është shumë i shqetësuar për situatën ku ndodhet Kosova dhe se nuk dëshiron të përkeqësohet situata apo të vendosen sanksione ndaj saj.
“Për mua është i pakuptimtë pozicioni i Kosovës, se Serbia bën atë që ka bërë herë tjera. Palët nuk po merren vesh kush duhet ta shkruajë këtë tekst e jo më se si duhet hartuar”.
Në veri të Kosovës, protestat që po vazhdojnë ende kanë shpërthyer qysh më 26 maj, kur Policia e Kosovës ka ndihmuar kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të hyjnë në objektet komunale, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
Për tensionet në veri, përkatësisht mospërfilljen e këshillave të SHBA-së në lidhje me hapat e nevojshëm atje, Kosova është përjashtuar tashmë nga një stërvitje e madhe ushtarake, e udhëhequr nga SHBA-ja në Evropë.
Me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka tërhequr policinë e as kryetarët shqiptarë nga zona veriore e vendit, e banuar me shumicë serbe.