Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së veriut, Talat Xhaferi, sot në takim me emisarin special të presidentit të Azerbajxhanit, Eçin Amerbajev, në emër të Kuvendit dhe në emrin e tij personal i përshëndeti presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliev dhe homologen e tij, kryetaren e Parlamentit të Azerbajxhanit, Sahiba Gafarova.
Ai e falënderoi për ftesën e saj për të vizituar Azerbajxhanin në periudhën në vijim.
Siç bënë të ditur nga shërbimi për informim i Kuvendit, kryetari Xhaferi shprehu bindje se në periudhën e ardhshme bashkë me Azerbajxhanin do të punohet në përforcimin dhe intensifikimin e komunikimit bilateral, si për takime në nivelin më të lartë, ashtu edhe të grupeve parlamentare të bashkëpunimit të dy vendeve.
“Me këtë rast ai i potencoi mundësitë për rritjen e bashkëpunimit ekonomik-tregtar i cili akoma është në nivel jo të kënaqshëm, edhe pse ka potencial të madh për përmirësim. E shprehu gatishmërinë tonë si shtet për bashkëpunim në fushën e energjetikës dhe për bashkëngjitjen në TAP – Gazsjellësi Trans-Adriatik, për çka kemi mbështetje të madhe nga BE-ja. Në kuadër të kryesimit tonë me OSBE-në, theksoi Kryetari Xhaferi, e mbështesim zgjidhjen paqësore të konfliktit ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë në rajonin Nagorno Karabah dhe tejkalimin e bllokimeve të Korridorit ‘Laçin’, bëhet e ditur në kumtesë.
Emisari special i presidentit të Azerbajxhanit, Amerbajev, falënderoi për mundësinë të jetë mysafir në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, që njëherazi paraqet edhe vizitën e tij të parë në vendin tonë. I transmetoi përshëndetjet e presidentit Ilham Aliev për vendin tonë dhe për Kuvendin.
Ai theksoi se agjenda e tij është në drejtim të dhënies së kontributit në përforcimin dhe intensifikimin e marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve, si edhe njoftimin më të hollësishëm të Kryetarit Xhaferi me situatën e sigurisë në vendin e tij dhe për negociatat aktuale ndërmjet Azerbajxhanit dhe Armenisë, për vënien fund të konfliktit dyvjetor ndërmjet dy vendeve me arritjen e pajtimit rreth pikave të procesit paqësor dhe pritjet nga implementimi i tij.
Tërësisht u pajtua me kryetarin Xhaferi se në periudhën e ardhshme duhet të bëhen përpjekje të përbashkëta për përforcimin e bashkëpunimit në të gjithë fushat, sidomos në planin ekonomik dhe në planin e zhvillimit të komunikacionit ajror dhe turizmit ndërmjet dy palëve. Foli edhe për rëndësinë që e ka Ballkani Perëndimor për Azerbajxhanin në fushën e ndërlidhjes energjetike me korridoret gazsjellëse që kalojnë nëpër më shumë vende”, qëndron në kumtesën e shërbimit për informim të Kuvendit.