AKTUALE

Në UT u organizua punëtori me temë “Gjeografia si kulturë botërore”

Në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore të Universitetit të Tetovës , më 5 qershor 2023, u mbajt punëtori, me temë “Gjeografia si kulturë botërore”. Në këtë punëtori të pranishëm ishin përfaqësues nga dekanati i Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore, shefa të departamenteve, profesorë dhe studentë. Prodekania për shkencë e këtij fakulteti, Prof. Dr. Florinda Imeri, në hapjen e kësaj ngjarjeje i përgëzoi studentët dhe stafin organizativ për punën dhe aktivitetet që i kanë realizuar dhe të cilat i prezantuan në këtë veprimtari.

Punëtoria e profesorëve dhe studentëve të Departamentit të Gjeografisë të Universitetit tonë punimet i zhvilloi në tre sesione. Gjatë sesionit të parë u bë prezantimi i rezultateve dhe hulumtimeve të realizuara nga studentët e ciklit të dytë, ku ishin të përfshira tema dhe hapësira të ndryshme gjeografike. Kurse në sesionin e dytë, studentët e ciklit të parë e prezantuan punën e tyre që kanë realizuar gjatë këtij semestri. Ndërsa në sesionin e tretë u zhvillua trajnim lidhur me mënyrën e përpilimit të hartave dhe rëndësinë e tyre në fushën e gjeografisë. Në fund, studentët e të dy cikleve studimore, me anë të programeve përkatëse prezantuan disa detaje rreth përpilimit të një harte. Veç kësaj, studentët sollën kontribute të vyera dhe interesante me synimin për të promovuar pasuritë natyrore dhe ato kulturore, pasuritë turistike, si dhe vëzhgime në terren lidhur me fenomene sociale, ekonomike dhe mjedisore.
Udhëheqësja e këtij aktiviteti, Prof. Dr. Merime Mustafi tha se kjo punëtori ishte e vlefshme për studentët e të gjitha niveleve studimore në Departamentin e Gjeografisë, si nga fokusi i përgjithshëm studimor, ashtu edhe nga ana përmbajtjesore e lëndëve që zhvillohen në Departamentin e Gjeografisë, rëndësinë e dimensionit aplikativ të gjeografisë fizike dhe humane dhe e rritjen e rolit të gjeografit në çështje me impakt publik apo në sfida relevante të zhvillimeve në vend.

Për studentët pjesëmarrës në këtë aktivitet u ndanë certifikata mirënjohjeje për punën e palodhshme, duke i motivuar për iniciativa dhe kontribute akoma më të mira në të ardhmen.

Related posts

Moti sot në Maqedoninë e Veriut

admin

Kuvendi i miratoi ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Gjyla Halili

Mariçiqi nga Kotori: Evropianizimi i shtetit me Planin e rritjes duhet të vazhdojë për prosperitet të çdo qytetari

Gjyla Halili

Leave a Comment