KOSOVË

Presidentja e Kosovës e hapur për zgjedhje të reja në komunat në veri

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova mund t’i shpallë zgjedhjet e reja në komunat në veri të Kosovës, nëse 20 për qind e votuesve nënshkruajnë një peticion me këtë kërkesë.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, Osmani ka thënë se beson që peticioni është “mënyra më demokratike” për shpallje të zgjedhjeve.

“Në këtë mënyrë, mendoj që garantojmë pjesëmarrjen e serbëve, sepse kërkesa do të duhej të vinte prej tyre, prej qytetarëve”, ka thënë ajo.

Serbët lokalë janë duke protestuar rregullisht prej 29 majit në komunat në veri të Kosovës: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.

Pjesëtarë të komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit, të cilat i kanë fituar kandidatët shqiptarë.

Më 29 maj, protesta ka përshkallëzuar në dhunë, mes pjesëtarëve të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR dhe protestuesve serbë.

Osmani ka thënë se largimi i kryetarëve aktualë, përmes një peticioni, do të ishte “në lloj referendumi”, i cili do të hapte rrugë për një proces të dytë zgjedhor.

Ajo ka thënë se gjithë procesi mund të kryhet brenda muajsh.

Osmani ka thënë se para se të shpallen zgjedhjet e reja, Kosova duhet të marrë garanci nga komuniteti ndërkombëtar që Beogradi nuk do të ndërhyjë.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse votuesit serbë do të nisin peticion.

Lista Serbe, partia kryesore e serbe në Kosovë, ka thënë të hënën se mund të marrë pjesë në zgjedhjet eventuale kur t’i plotësohen disa kushte.

Ajo e ka përmendur tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu, largimin e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale, dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Pas rritjes së tensioneve në veri, NATO-ja e ka rritur prezencën në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.

Osmani ka thënë se dëshiron që trupat paqeruajtëse të qëndrojnë në Kosovë, derisa ky vend të pranohet në NATO.

Osmani: Vuçiq, “burrë dramatik”

Osmani e ka përshkruar presidentin serb, Aleksandar Vuçiq si “burrë dramatik”.

“Vuçiq, në shumicën e takimeve të tij është goxha burrë dramatik. Prandaj, ai, natyrisht se ka tentuar të krijojë drama sërish, mirëpo nuk ka ofruar ide që mund të kontribuojnë në paqe dhe stabilitet në rajon”, ka thënë Osmani.

“Ai dëshiron të pretendojë se po bën koncesione të mëdha, që ai është nën presion të madhe, që po vuan, që është në rrezik, e gjëra të ngjashme. Mirëpo diçka e tillë nuk duhet të tolerohet pas moshës katërvjeçare”.

Vuçiq nuk i ka komentuar deklaratat e Osmanit.

Po të mërkurën, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë nga Beogradi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka siguruar atë se do ta shfrytëzonte ndikimin e tij për ta bindur komunitetin serb në veri të Kosovës që të merrte pjesë në zgjedhjet eventuale.

Një ditë më parë, Escobar ka qenë në Kosovë, bashkë me homologun e tij evropian Mirosllav Lajçak.

Escobar u ka thënë gazetarëve se, SHBA-ja ka sfida në marrëdhëniet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Komuniteti ndërkombëtar ka dalë së fundi me tri kërkesa për Qeverinë e Kosovës: shtensionimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kosova dhe Serbia, me ndërmjetësim të BE-së, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve, më 2011.

Palët i kanë nënshkruar disa marrëveshje, por jo të gjitha janë zbatuar.

Related posts

Marrëveshja e Ohrit duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë

admin

Të akuzuarit për sulm ndaj Valon Sylës kërkojnë të gjykohen sipas ligjeve fetare

admin

Erdogan thotë se MIT-i ka vrarë liderin e Shtetit Islamik në Siri

admin

Leave a Comment