Të dielën, në shkollën fillore “Tefik Çanga” në Ferizaj, u organizua Kupa e Republikës së Kosovës për kategorinë e seniorëve, për meshkuj dhe femra në pingpong.
Në kategorinë e femrave, në gjysmëfinalen e parë u takuan dy klubet nga Ferizaji, “Ahmet Hoxha F” dhe “Ahmet Hoxha MK”. Ndeshja përfundoi me rezultatin e ngushtë 4-3 në favor të klubit “Ahmet Hoxha F”. Në gjysmëfinalen e dytë, “Drita” nga Gjilani mposhti ekipin nga Prishtina “Prishtina F” me rezultat 4-0.
Me të njëjtin rezultat, “Drita” fitoi edhe ndeshjen finale kundër ekipit “Ahmet Hoxha F” dhe u shpall kampione e Kupës së Republikës së Kosovës për seniore duke e mbrojtur kështu titullin e Kampiones ekipore për të gjashtin vit me radhë.
Në kategorinë e meshkujve u zhvilluan ndeshje shumë interesante. Në gjysmëfinalen e parë u takuan “Lidhja e Prizrenit” dhe “Dardania”. Ekipi nga Prizreni fitoi me rezultat 4-1. Në gjysmëfinalen e dytë, u përballën dy ekipe nga Prishtina, “Priping” dhe “Prishtina”. “Priping” fitoi me rezultat 4-1 dhe shkoi në finale.
Në finale, “Priping” dhe “Lidhja e Prizrenit” luajtën një ndeshje të fortë me momente interesante.
Ndeshja e ditës ishte padyshim ajo ndërmjet Fatih Karabaxhaku nga Prizreni dhe anglezit Christopher Doran, të cilën ky i fundit e fitoi me shumë mund, 3 me 2 në sete. Fatih Karabaxhaku dhe Kreshnik Mahmuti fituan në dyshe kundër Christopher Doran dhe Yll Dragidella me rezultat 3 me 1. Dhe kështu në fund, me rezultatin e përgjithshëm 4-1 u shpallën kampionë të Kupës së Republikës së Kosovës për seniorë.
/BotaSot/