KOSOVË

Bashkëpunimi ndërmjet shoqërive tregtare dhe administratave doganore ngrihet në një tjetër nivel

Bashkëpunimi ndërmjet shoqërive tregtare dhe administratave doganore të rajonit do të përmirësohet me ngritjen e Grupeve të Punës për Operatorët e Autorizuar Ekonomikë (OAE), ku sektori privat dhe strukturat shtetërore do të kontribuojnë bashkërisht në procesin e planifikimit dhe zbatimit. Ky bashkëpunim efektiv duhet të inkurajohet në nivel kombëtar edhe rajonal, me qëllim nxitjen dhe krijimin e harmonizimit rajonal dhe uljen e barrës si për tregtinë ashtu edhe për qeveritë. 

Në takimin rajonal të mbajtur në Banja Luka, shoqëritë anëtare të Shoqatës OAE u takuan me përfaqësues të administratave doganore të rajonit, ku ranë dakord që të diskutohet për përmirësime të mëtejshme të kuadrit OAE. Pjesëmarrësit ishin dakord që në secilin Shtet Palë të CEFTA-s të ngrihen Grupe Pune OAE, sepse kështu forcohet bashkërendimi me strukturat e tjera kufitare të përfshira në zhdoganimin e mallrave, si dhe shpejtohet zbatimi i kuadrit OAE në të gjitha ekonomitë. 

Statusi Operator i Autorizuar Ekonomik u jepet shoqërive tregtare që arrijnë nivel të lartë në standardet e sigurisë së zinxhirit të furnizimit. Ky status u mundëson procedura të thjeshtuara doganore dhe kalim më të shpejtë të mallrave në ekonomitë e rajonit. I gjithë koncepti OAE synon të lehtësojë dhe të përmirësojë kushtet e tregtisë ndërmjet ekonomive të vendeve CEFTA. 

Tanja Bošković, Drejtuese e Projektit të GIZ, deklaroi se dy elementë kyçë për zhvillimin e mëtejshëm të çdo programi OAE solid është forcimi i mirëkuptimit dhe besimit të ndërsjellë me sektorin privat, si edhe rritja e gatishmërisë dhe efektivitetit në bashkëpunimin me strukturat shtetërore të përfshira në zhdoganimin e mallrave. “Ne besojmë se angazhimi më i fuqishëm i zyrtarëve doganorë, strukturave shtetërore dhe sektorit privat, është thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm të programit OAE në nivel kombëtar dhe rajonal, për të garantuar përgjigje efikase dhe efektive ndaj sfidave që hasen në këtë trinom. Thjeshtimi i procedurave nuk është vetëm detyrë e autoriteteve doganore; edhe detyrat dhe proceset e strukturave të tjera duhet të faktorizohen dhe të reflektohen në këtë program, në mënyrë që çdo problematikë të zgjidhet dhe të gjithë të mbeten të kënaqur”, përfundoi ajo. 

Ognjen Alagić, Shef i Departamentit për OAE në Administratën Doganore të Bosnjë-Hercegovinës theksoi se autoritetet doganore të Bosnjë-Hercegovinës i vlerësojnë maksimalisht përpjekjet dhe gatishmërinë e të gjithë kolegëve të rajonit për të kontribuuar në përmirësimin e mjedisit të tregtisë në ekonomitë CEFTA. Ai shtoi se bashkëpunimi me sektorin privat është mënyra më e mirë për të gjetur zgjidhje që forcojnë dialogun dhe besimin ndërmjet të dy sektorëve. 

Tijana Stefanović, Kryetarja e Shoqatës OAE solli në vëmendje se shumë punë është bërë me kuadrin OAE në rajon dhe se është krijuar tashmë lidhja ndërmjet administratave doganore dhe sektorit privat. “Patëm mundësinë të perceptojmë këndvështrimet e të dy sektorëve dhe më vjen mirë që tani do të intensifikojmë punën operacionale për forcimin e programeve, të cilat do të jenë të dobishme si për shoqëritë tregtare ashtu edhe për institucionet shtetërore që merren me tregtinë”, tha ajo. 

Ky takim ishte një mundësi e shkëlqyer për të inkurajuar sektorin privat dhe administratat doganore që të investojnë më tej në përmirësimin e zbatimit të programeve OAE në nivel rajonal dhe kombëtar. Diskutimet i dhanë impuls domethënës bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore përgjegjëse për çështjet e tregtisë. Takimi u organizua në kuadër të projektit “Mbështetje për Integrimin Ekonomik Rajonal” që zbatohet nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH dhe financohet nga Bashkimi Evropian  dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim  (BMZ). Partneri i kësaj ngjarje është projekti EDGE i USAID.

Related posts

Besnik Berisha dyshohet se mori 11 mijë euro nga klienti që s’mund ta mbronte ligjërisht

admin

Vazhdojnë të jenë të bllokuara pikat kufitare Kosovë-Serbi

admin

Rama mbërrin në Serbi, pritet të takohet me Presidentin Vuçiç

admin

Leave a Comment