KOSOVË

Zgjedhjet e reja në veri, mundësi për de-eskalimin e situatës

Propozimi evropian për organizmin e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore në Kosovë, po konsiderohet si mundësi e mirë për de-eskalimin e situatës nga spektri politikë, por me kushtin që edhe Lista Serbe garanton për pjesëmarrje në këtë proces zgjedhor. Nga partia në pushtet thonë se kjo nuk është dorëzim, por e drejtë ligjore që qytetarët atje mund të përdorin për zgjedhje të reja. Në anën tjetër, në partitë opozitare potencojnë nevojën për shtensionimin e situatës në veri, por kritikojnë Qeverinë e Kosovës se po prapakthen funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri.

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje nga Lista Guxo, Haxhi Avdyli thotë për KosovaPress, se Qeveria e Kosovës, por edhe Presidenca janë duke e bërë të pamundshmen për qetësimin e situatës në veri dhe përfundimin e protestave në tri komunat veriore, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Ai shton se pas diskutimeve të fundit me aleatët ndërkombëtar, zgjedhjet e reja në veri mund të konsiderohet si opsion, por gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi.

“Kosova nuk ka pasur rrugë tjetër përveç që t’i mbajë zgjedhjet dhe t’i mbushë këto institucione me përfaqësues, sado që ne e kuptojmë se është një përqindje e daljes në zgjedhje e ulët, po ashtu duhet të kuptojmë se është e drejtë e qytetarëve që të kenë përfaqësuesit e tyre legjitim. Në këtë kontekst, mendoj se qeveria është duke bërë të pamundshëm, po ashtu edhe presidenca për të bërë qetësimin e situatës. Por, është e padrejtë që tërë presionin apo kritika të drejtohet ndaj Kosovës, pasi Kosova nuk është shkaktare e kësaj krize, Kosova nuk ka shkuar me i pushtuar komunat dhe me largu askënd prej komunave, por janë vet ata që i kanë lëshuar komunat… Gjithmonë në kuadër të ligjit, qytetarët kanë të drejtë të ngritin një peticion dhe 20 për qind e votuese mund të kërkojnë zgjedhjet e reja. Institucionet tona vendimmarrëse kanë shprehur gatishmëri që t’i dëgjojnë me vëmendje këto kërkesa. Asesi kjo nuk është dorëzim por është një e drejtë shumë legjitime e qytetarëve”, deklaron ai.

Zgjidhjen e situatës në veri e quan emergjencë edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu. Ajo thotë për KosovaPress se qasja e njëanshme e kryeministrit Kurti për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në veri, sado që është e ligjshme nuk mund të bëhet pa një koordinim me ndërkombëtarët.

“Ne jemi të vetëdijshëm që në veri funksionojnë ende strukturat kriminale dhe bandat që janë të joshura dhe nxitura nga Serbia. Por, një qasje e tillë e njëanshme, e cila nuk është bërë në koordinim me partnerët e zhvendos pozicionin e Kosovës në një pozicion, i cili nuk është në përputhje dhe harmoni me aleatët, të cilët e kanë ndihmuar Kosovën. Kjo qasje e njëanshme e kryeministrit për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin në veri sado që është e ligjshme dhe sado që është legjitime dhe kushtetuese nuk mund të bëhet pa një koordinim… Bojkoti që e ka bërë Lista Serbe e ka pamundësuar funksionimin e zgjedhjeve në atë pjesë. Kosova është prapakthyer në funksionimin e çdo mekanizmi institucional në veri, sado që është dukur një fitore e vogël kjo që ka ndodhur për kryeministrin. Por, prapakthimi i Kosovës në shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë të vendit po shihet çdo ditë e më shumë. Kur kjo bëhet edhe me ankesa ose sanksione të drejtpërdrejta të aleatëve tanë, siç ishte deklarata e sekretarit Blinken, atëherë kjo ka peshë edhe më të madhe dhe është e dhimbshme për Kosovën”, thekson Deliu./kp

Related posts

Plagosja në Veri të Kosovës, arrestohen katër policë

admin

Policia e Kosovës qëndron në veri, nuk kthehet në jug

admin

Mes tensionesh në Kuvend, Vuçiq prezanton planin 10 pikësh për Kosovën

admin

Leave a Comment