AKTUALE

Një vit nga Dialogu Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së

Sot shënojmë një vit nga Dialogu Strategjik ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe ShBA-së, i cili u mbajt më 2 qershor 2022, në Uashington. Dialogu u nis nga Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani dhe Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ambasadorja e ShBA-së, Anxhela Ageler, me një video të përbashkët uruan përvjetorin e Dialogut Strategjik, duke rikonfirmuar zotimet e tyre të përbashkëta për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe mbështetjen e konsiderueshme për procesin tonë të integrimit europian.

“Si partnerë strategjikë kemi përpara një sërë aktivitetesh për të adresuar sfidat e vendit, si forcimi i mëtejshëm i modelit tonë autentik të demokracisë funksionale multietnike, lufta kundër korrupsionit, investimet në infrastrukturë, por edhe integrimi i vendit në BE, gjë që është interesi ynë i përbashkët strategjik”. – theksoi Osmani në përvjetorin e mbajtjes së dialogut.

Ambasadorja Ageler, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj të fortë për procesin tonë të integrimit evropian, tha: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe do të jenë gjithmonë mbështetësja juaj e vazhdueshme dhe miku më i madh. Ne do të jemi me ju krah për krah përderisa i arrini qëllimet tuaja të sigurisë, prosperitetit dhe mundësive brenda komunitetit europian”.

Në kuadër të Dialogut Strategjik, Ministria e Punëve të Jashtme si koordinatore e procesit të përgjithshëm, në bashkëpunim me institucionet kompetente, përgatiti Plan Veprimi për realizimin e projekteve në fusha të ndryshme. Me miratimin e tij në seancë të qeverisë, të gjitha aktivitetet në kuadër të dialogut u bënë pjesë e programit të punës së qeverisë. Me qëllim të zbatimit të suksesshëm praktik të Planit të Veprimit të miratuar, të gjitha ministritë, institucionet dhe agjencitë e vendit që kanë kompetenca në zbatimin e tij, i nominuan persona të cilët e monitorojnë realizimin e aktiviteteve në kompetencë të tyre dhe çdo tremujor Ministrisë së Punëve të Jashtme i paraqesin informacion për statusin dhe dinamikën e tyre të realizimit.

Related posts

Haradinaj kujton Lidhjen e Pejës dhe heroin Isa Boletini

Gjyla Halili

Krahu i Selës jashtë frontit europian? Bajrami: Mbetet për t’u diskutuar në organet partiake

Gjyla Halili

Grubi: Maqedonia e Veriut nesër në ditë zie, solidarizohemi me dhimbjen e popullit turk dhe sirian

admin

Leave a Comment