Qysh në orën 07:30 të mëngjesit, protestuesit u mblodhën për herë të tretë para komunave veriore të Kosovës.
Serbët hapën përsëri tendat para komunës së Zubin Potokut, ku perimetrin përreth komunës e siguron Policia e Kosovës.
Protestuesit serbë ngritën edhe flamurin e Serbisë në objektin e Qendrës së Mjekësisë në këtë komunë.
Protestuesit në këtë komunë janë shpërndarë në orën 16:00.
Situatë e qetë ishte në Leposaviq, përkundër që nuk munguan provokimet e vazhdueshme nga ana e protestuesve.
Atje në orët e mëngjesit u larguan edhe vetura të ndryshme që ndodheshin në oborrin e komunës. Përkundër që është paraparë që protesta të përfundojë në orën 16:00 ajo vazhdoi deri në orët e mbrëmjes, kjo për arsye se protestuesit kërkojnë largimin e kryetarit Lulzim Hetemi, i cili ndodhet në objekt që nga dita e hënë.
Situatë më e tensionuar ishte në komunën e Zveçanit. Numri i protestuesve ishte më i lartë se në komunat e tjera.
Ata shpalosën edhe flamurin disa metra të gjatë të Serbisë, ndërkohë që demoluan edhe një veturë të Policisë së Kosovës.
Cak i sulmeve të vazhdueshme ishin edhe gazetarët shqiptare të cilët nuk lejoheshin të filmonin e po ashtu u sulmuan fizikisht nga protestuesit.
Mes tjerash, KFOR-i ka biseduar edhe me Listën Serbe të cilët kanë kërkuar përsëri largimin e Policisë së Kosovës dhe shtimin e forcave të misionit euroatlantik.
Serbët do të vazhdojnë kundërshtimin e tyre edhe të enjten.