Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë të ditur se aleanca veri-atlantike do ta rrisë për 700 numrin e trupave në Kosovë, në kuadër të misionit të saj, KFOR.
Në një konferencë për media me kryeministrin norvegjez, Jonas Gahr Store, ai i ka dënuar sulmet që kanë ndodhur ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, të hënën në veri të Kosovës, dhe ka thënë se ato janë të “papranueshme”.
“Ne kemi vendosur t’i angazhojmë 700 trupa shtesë nga Forca Operacionale Rezervë për Ballkanin Perëndimor, dhe që të ngrejmë në nivel të lartë gatishmërinë e një batalioni shtesë të forcave rezervë, ashtu që ata të mund të angazhohen, nëse do të ketë nevojë”.
Sipas Stoltenbergut, dhuna është duke e kthyer mbrapa Kosovën dhe gjithë rajonin, si dhe i vë në rrezik aspiratat euro-atlantike.
“Prishtina dhe Beogradi duhet të marrin hapa konkretë për ulje të tensioneve, të përmbahen nga sjelljet e papërgjegjshme dhe të angazhohen në dialog të ndërmjetësuar nga BE-ja, si rrugë e vetme për paqe afatgjatë”, tha ai.
Më herët gjatë ditës, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra në veri dhe, për këtë arsye, ka pësuar pasojën e parë: “stërvitjet Defender Europe 2023 kanë marrë fund” për të”.
Ai iu referua vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i instaluar me forcë kryetarët shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit – Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq – përkundër rezistencës së vazhdueshme të banorëve lokalë, që rezultoi në dhunë.
Ai citoi sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, i cili paralajmëroi se këto veprime do të ndikojnë në marrëdhëniet SHBA-Kosovë, dhe tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023” është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës në këtë drejtim.