KOSOVË

S’do të lejojmë asnjë qeveri t’i rrezikojë themelet e shtetësisë

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë se nuk do të lejojë që asnjë politikan apo qeveri t’i rrezikojë themelet e shtetësisë, pas veprimeve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës morën pas incidenteve në veri.

Përjashtimi i Kosovës nga “Defender 23”, mosangazhim ndaj shteteve mosnjohëse, stopimi i vizitave për zyrtarët e shtetit në SHBA – ishin disa nga masat që ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i bëri të ditur të martën. Hovenier ka thënë se këto masa janë marrë pasi Qeveria e Kosovës nuk u koordinua me ta të premten.

LDK-ja ka thënë se tendencat e Serbisë për ta destabilizuar Kosovën kanë qenë gjithmonë të njohura, por janë shprehur të zhgënjyer me qasjen e kryeministrit Albin Kurti karshi aleatëve ndërkombëtarë.

“Këto tendenca destabilizuese e këto veprime kanë qenë gjithmonë të njohura për Republikën e Kosovës nga Serbia. Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. Mungesa e koordinimit të ngushtë për ndërmarrjen e hapave politik në bashkërendim me shtetet mike, në veçanti në fushën e sigurisë, e ka vënë shtetin tonë, si rrallëherë më parë, në përplasje të hapur me aleatët më të mëdhenj”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Sipas tyre, Qeveria nga përplasja me grupet kriminale në veri po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin.

“Nga përplasja me grupet kriminale në veri, Qeveria e Kosovës po përfundon në përplasje me vetë Perëndimin, duke rënë kështu në grackën e Serbisë. Reagimet e shteteve mike, kundër institucioneve të Kosovës, reagimet e SHBA-së, Gjermanisë, Francës, BE-së e vet NATO-s, dëshmojnë pozicionin e rëndë diplomatik e strategjik në të cilin gjendet Kosova. Në një pozicion të tillë Kosova nuk është gjendur asnjëherë më parë”, vijon LDK-ja.
Partia opozitare i ka bërë thirrje Qeverisë që të zgjedhë maturinë politike para populizmit afatshkurtër.

“LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë. Përjashtimi i Kosovës nga ‘Defender 2023’ është hap në këtë drejtim. LDK-ja nuk do të lejojë, për asnjë çmim, asnjë politikan e asnjë Qeveri, të rrezikojë themelet e shtetësisë”, vijon tutje reagimi i LDK-së.

Related posts

Presidenti i Serbisë takohet me ambasadorët e QUINT-it, pritet të ketë takim edhe me ambasadorin e Rusisë

admin

Meloni u ngrys pas videos së turistëve që nuk paguan

admin

SHBA do t’i shesë avionë luftarak F-35 Greqisë

admin

Leave a Comment