Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç i është drejtuar kombit serb me një fjalim në orën 20:00 të mbrëmjes ku ka folur për situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, pasi situata eskaloi në komunën e Zveçanit në orët e pasdites.
Ai akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se në tre ditët e fundit ishte investuar për të prodhuar tensione që do të çonin në situata të ngjashme me atë të sotme, ku serbët të përplaseshin me NATO-n.
“Kemi muaj që themi se Kurti ka vetëm një dëshirë, të shkaktojë konflikte dhe të çojë në gjakderdhje. Pakkush dëshironte të dëgjonte të vërtetën dhe të kuptonte thelbin. Në tre ditët e fundit të gjithë, edhe analfabetët politik e kuptonin se çfarë po përgatitej për sot, gjithçka ishte organizuar nga Kurti që të kishte një konflikt mes serbëve dhe NATO-s, dhe ai të lante duart dhe thoshte se nuk kishte të bënte me të”, tha Vuçiç.
Në qendër të akuzave të Presidentit serb ishte edhe misioni ndërkombëtar KFOR, për të cilët Vuçiç pretendon se nuk mbrojtën serbët pavarësisht garancisë që kishin premtuar.
“Serbët tanë nuk u mërzitën nga KFOR-i, por nga forcat speciale të Kurtit dhe kryetarët të cilët Kurti i zgjodhi në tualetin apo kabinetin e tij. Serbët nuk u mërzitën nga KFOR-i. Komandanti i tyre për rajonin lindor tha se i kupton kërkesat serbe. KFOR-i e kushtëzoi të gjithë marrëveshjen me faktin se serbët do të lironin dy automjete policore. Serbët nuk u pajtuan me këtë. Unë po ju them të vërtetën absolute. Dhe pastaj ata hynë në aksion”, u shpreh ai.
Por pavarësisht toneve të ngritura ndaj KFOR-it, Vuçic u kujdes që gjuha e tij të ishte e butë në raport me NATO-n, duke u kërkuar serbëve në Veri që të shmangin një konflikt me Aleancën Euroatlantike.
“U bëj thirrje serbëve në Kosovë që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n, jo pse unë apo dikush tjetër kemi frikë, por sepse këtë e dëshiron më së shumti Kurti. I ftoj të protestojnë në mënyrë paqësore, si sot, sepse atëherë askush nuk mund t’i mposht”, ishte mesazhi i Vuçiç për ta.
Në fund, ai e mbylli fjalën duke kërkuar nga ndërkombëtarët që t’i kërkojnë Albin Kurtit t’i thërrasë sipas tij arsyes dhe të marrin masa.
“Nëse nuk e bëjnë këtë, kam frikë se do të jetë vonë për të gjithë ne. Ne do të bëjmë çmos për të ruajtur paqen, por nuk do të lejojmë persekutim, pogrome apo vrasje të njerëzve tanë në Kosovë. Kërkojmë nga vendet e QUINT-it të kuptojnë se serbët dhe Serbia duan vetëm paqen dhe asgjë më shumë”, deklaroi Vuçiç.
Ndërkohë, mediat serbe raportojnë se Presidenti menjëherë pas fjalimit do të shkojë në kufi ku është dislokuar ushtria serbe dhe do të kalojë natën me ta për të monitoruar situatën nga afër.