Pesë persona janë arrestuar sot të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në komunën e Zveçanit në veri të Kosovës.
Policia ka njoftuar se disa pjesëtarë të KFOR-it janë plagosur si rezultat i dhunës në veri të vendit, një makinë zyrtare e policisë është djegur dhe ka dëmtime në makinat e tjera.
“Policia e Kosovës në vazhdimësi ka qenë e koordinuar me KFOR-in për të menaxhuar situatën. KFOR-i janë detyruar të veprojnë pasi nga dhuna e protestuesve është vënë në rrezik jeta e zyrtarëve, janë vënë në rrezik dëmtimi i automjeteve dhe prona publike”, thuhet në komunikatën për media të Policës së Kosovës.
Në Zveçan, sipas Policisë së Kosovës, protestuesit kanë vazhduar të jenë jo-paqësorë dhe “kanë provokuar situatën, kanë përdorur dhunë dhe kanë qëlluar në drejtim të zyrtarëve të policisë”.
Protestuesit në Zveçan, sipas policisë, nuk kanë zbatuar urdhrat zyrtar për largim, por kanë rezistuar dhe kanë filluar të hedhin mjete të ndryshme si “koktej molotovi, shok bombë, mjete eksplozive si dhe janë dëgjuar gjuajtje me armë zjarri”.
Policia e Kosovës thotë se po vazhdon angazhimet e saja në ofrimin e sigurisë dhe mbarëvajtjen e protestave në veri të vendit.
“Duke parë rrethanat dhe situatën e tensionuar të krijuar nga grupet kriminale në veri të vendit, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e provokimeve të çfarëdo natyre qofshin ato”, thuhet në njoftimin e Policës së Kosovës./21Media