Senatori amerikan Chris Murphy, ka thënë të enjten në Beograd se, Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve, është një hap përpara, për të cilin, duhet të jenë krenare të dyja palët.
Megjithatë, ai ka theksuar se marrëveshja duhet të zbatohet shpejt.
“Ndonjëherë, është më e lehtë të arrihet marrëveshja, sesa të zbatohet”, ka thënë ai.
Murphy ka thënë, po ashtu, se e di që në Beograd, fokusi qëndron te formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, mirëpo, sipas tij, “marrëveshja kërkon që të dyja palët të marrin hapa drejt zbatimit”.
Senatori amerikan ka thënë se çështja e afateve kohore për zbatim të marrëveshjes, duhet të trajtohet nga negociatorët dhe ekspertët, mirëpo beson se duhet vepruar shpejt.
“Nuk mendoj se duhet të kalojë edhe një vit për ta kuptuar si të krijohet Asociacioni, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të kalojë edhe një vit që Serbia t’i përmbushë obligimet, dhe ta lejojë Kosovën që t’iu bashkohet organizatave ndërkombëtare”, ka thënë ai.
Më 27 shkurt, Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve, derisa më 18 mars, janë pajtuar për aneksin e zbatimit.
Marrëveshja me 11 nene nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Ajo kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Murphy ka folur edhe për zgjedhjet në veri të Kosovës, të mbajtura më 23 prill.
Kryetarët e zgjedhur, të gjithë shqiptarë, janë betuar më 19 dhe 25 maj.
Komunat në veri, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, janë të banuara me shumicë serbe.
Këto zgjedhje janë bojkotuar nga popullsia serbe dhe nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë.
Zgjedhjet lokale në veri të Kosovës janë mbajtur më 23 prill, pas dorëheqjes kolektive të serbëve nga institucionet e Kosovës, si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrim të makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës.