KOSOVË

Betohet kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri

Kryetari i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, bëri të enjten betimin në këtë pozitë.

“Uroj që ne, tani e tutje, të jemi në nivel të përgjegjësisë më të lartë, duke ua ofruar qytetarëve të Komunës së Zubin Potokut, pa asnjë dallim, të gjitha shërbimet”, tha ai.

Ceremonia e betimit u zhvillua në objektin e Zyrës komunale për komunitete, në fshatin Çabër të Zubin Potokut.

Betimin pritet ta bëjnë edhe kryetarët e rinj të komunave Leposaviq dhe Zveçan, ndërsa ai i Mitrovicës së Veriut e ka bërë më 19 maj.

Kryetarët e këtyre katër komunave me shumicë serbe – që të gjithë shqiptarë – kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat janë bojkotuar nga komuniteti serb, pas kërkesës së partisë së tij kryesore, Lista Serbe.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur të mërkurën se, për arsye sigurie, kryetarët e Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit do të betohen në ndërtesa publike në këto komuna, e jo në kuvendet komunale.

Në Leposaviq, kryetari i zgjedhur, Lulzim Hetemi, do ta bëjë betimin në fshatin Bistricë, në objektin e shkollës fillore “Kadri Bistrica”, ndërsa në Zveçan, kryetari Ilir Peci do të betohet në fshatin Boletin, përkatësisht në shkollën fillore “Isa Boletini”, ku do të konstituohet edhe asambleja e kësaj komune.

Të katërtit e kanë fituar mandatin për kryetar nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura në komunat veriore të Kosovës më 23 prill. Këto zgjedhje janë organizuar pasi Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në vend – ka braktisuar institucionet e Kosovës, në shenjë kundërshtimi ndaj një vendimi të Qeverisë në Prishtinë për t’i riregjistruar makinat me targa ilegale serbe.

Pjesëtarët e komunitetit serb i kanë bojkotuar zgjedhjet e prillit dhe kanë thënë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.

Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 3.47 për qind.

Javën që shkoi, më 19 maj, kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut – komunë gjithashtu e banuar me shumicë serbe, Erden Atiq, e ka bërë betimin para kuvendit komunal.

Derisa Komuna e Mitrovicës së Veriut ka objektin e saj, në tri komunat tjera deri më tash, në të njëjtat objekte komunale kanë punuar institucionet komunale sipas sistemit të Kosovës, por edhe të ashtuquajturat organe të përkohshme, të cilat punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Related posts

Osmani kujton masakrën e Belegut: Zbardhja e fatit të të zhdukurve me dhunë mbetet përkushtim i çdoditshëm

Gjyla Halili

Priten pasoja nëse nuk zbatohet Marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë

admin

Shpallet rezultati final i raundit të parë të zgjedhjeve në Turqi

admin

Leave a Comment