Eksportet e Kosovës kanë shënuar rënie drastike, në vlerë rreth 17 për qind në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës eksporti i përgjithshëm i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion euro, ndërsa importi 448.2 milion euro, që është një rënie prej 16.9 për qind për eksport.
“Eksporti i mallrave në muajin prill 2023 kishte vlerën 67.2 milion Euro, ndërsa importi 448.2 milion Euro, që është një rënie prej (-16.9%) për eksport, si dhe (-3.1%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022”, thuhet në raportin e Tregtisë së Jashtme të Mallrave në Kosovë të publikuar nga ASK për muajin prill 2023.
Në muajin prill 2023, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 27.0 milion Euro, ose 40.1% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej -14.6%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut 16.0%, Shqipëria 12.4%, Serbia 6.7%, dhe Mali i Zi 3.6%.
Sfidë tjetër për vendin mbetet edhe importi nga Serbia, që ka shënuar rritje në muajin prill të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20.7 milion Euro, ose 30.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (14.6%), dhe Zvicra (9.2%).