Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur lidhur me betimin e kryetarëve të komunave veriore.
Ajo ka shtuar se pret që të gjitha procedurat të shkojnë pa ndonjë problem dhe pa tensione. Sipas saj, zgjedhjet në veri janë mbajtur sepse ashtu kërkon Kushtetuta dhe legjislacionet në fuqi.
“Siç e dini zgjedhjet janë mbajtur për shkak se Kushtetuta jonë dhe legjislacioni në fuqi kërkon që të mbahen zgjedhjet sa herë që një kryetar komune jep dorëheqje. Ajo që e ka krijuar këtë situatë ka qenë dorëheqja e ish-kryetarëve të komunave veriore”, tha Osmani.
Osmani tha se kryetarët e komunave janë të detyruar që brenda afateve të caktuara ligjore ta bëjnë betimin e tyre.
“Në këtë situatë ne kemi pasur obligime kushtetuese dhe ligjore dhe institucionet e sigurisë kanë bërë çmos që dita e zgjedhjeve të shkojë pa as një problem. tash jemi në një situatë ku përkundër përqindjes së vogël ligji nuk kërkon ndonjë përqindje të caktuar të pjesëmarrjes. Dhe kryetarët dhe të gjithë të zgjedhurit kanë detyrim që brenda afateve ligjore ta bëjnë betimin dhe të fillojnë punën e tyre”, shtoi ajo.