Erden Atiq ka dhënë betimin si kryetari i ri i Mitrovicës së Veriut. Me dhënien e betimit nis zyrtarisht mandati i tij.
Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Uglanin, para nisjes së seancës së betimit ka thënë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për të mundësuar marrjen e detyrës së kryetarit.
“Trembëdhjetë asamblistë janë aty, kemi kuorum për të kryer detyrat kuvendore. Sot do të zgjidhet edhe nënkryetarja, që do të jetë nga komuniteti serb”, tha ai, pa e zbuluar se kush do të jetë ajo.
Në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill, Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje, fitoi rreth 550 vota ose 66 për qind të votave. Pjesëmarrja në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ishte 3.47 për qind e trupit zgjedhor.
Por, të premten nuk do ta bëjnë betimin edhe tre kryetarët e tjerë të rinj të komunave në veri.
Zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – u mbajtën pasi kryetarët paraprakë nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, dhanë dorëheqje nëntorin e kaluar. Ata u larguan nga institucionet në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës që obligonte shoferët me makina me targa ilegale të lëshuara nga Serbia, t’i riregjistronin ato në targat legale RKS – Republika e Kosovës.
Pjesëtarët e komunitetit serb gjerësisht bojkotuan zgjedhjet e prillit dhe thanë se nuk i pranojnë rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj nga komuniteti shqiptar.
Kur do ta bëjnë betimin kryetarët e tjerë?
Në Komunën e Leposaviqit, kryetar i ri është zgjedhur Lulzim Hetemi nga Vetëvendosje, në atë të Zveçanit, Ilir Peci nga Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa Zubin Potokun do ta udhëheqë Izmir Zeqiri, po ashtu nga PDK-ja.
Por, këta tre kryetarë të rinj nuk dihet se kur dhe ku do ta bëjnë betimin, në mënyrë që edhe zyrtarisht ta marrin detyrën.
Për dallim nga Mitrovica e Veriut, ku ekziston një ndërtesë komunale që punon sipas sistemit të Kosovës, në komunat e tjera në veri, deri më tani, autoritetet lokale të Kosovës ishin të vendosura në ndërtesat e të ashtuquajturave organe të përkohshme që punojnë sipas sistemit serb. Po ashtu, në disa komuna, deri më tani krerët e komunave kanë qenë të njëjtë si në sistemin e Kosovës, ashtu edhe në atë serb.
Radio Evropa e Lirë nga burimet e saj mëson se pas betimit të kryetarit të ri të Mitrovicës së Veriut, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës do të mbajnë një takim me kryetarët e tjerë për të rënë dakord për datën dhe vendin e betimit të tyre.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha më 18 maj se nuk duhet përdorur forca për të fituar qasje në ndërtesat komunale në veri.
Ai theksoi se është e rëndësishme që të shmangen konfliktet dhe rritja e tensioneve në terren.
“Ne presim nga kryetarët e zgjedhur që të ushtrojnë rol teknik, në vend të atij politik, dhe të ndërmarrin veprime që nuk shihen si përshkallëzuese”, tha Hovenier.
Kryetarët e rinj të Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, e kanë pranuar se do të jetë sfidë për ta dhe kabinetet e tyre qasja fizike në objektet e komunave, sepse në to janë të pranishme edhe strukturat e e të ashtuquajturave organe të përkohshme, që punojnë sipas sistemit të Serbisë.
Por, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kishte deklaruar për REL-in më 23 prill se kryetarët e rinj nuk do të kenë probleme në punën e tyre, dhe sipas tij, ata “do të punojnë normalisht në objektet shtetërore të Kosovës” dhe se “të gjitha objektet e administratës në Republikën e Kosovës janë pronë e shtetit”.
Si është atmosfera në veri?
Ekipi i Radios Evropa e Lirë para betimit të kryetarit të Mitrovicës së Veriut, ka vizituar të katër komunat veriore dhe ka parë se në hyrje të objekteve komunale në Leposaviq dhe Zubin Potok janë vendosur dyer me shufra hekuri.
REL-i po ashtu ka biseduar me banorë nga të gjitha komunat në veri, shqiptarë dhe serbë, të cilët kanë shprehur qëndrime dhe pritje krejtësisht të ndryshme. Pjesëtarët e komunitetit serb kanë deklaruar se nuk i njohin kryetarët e rinj që do të punojnë sipas sistemit të Kosovës, ndërsa shqiptarët në përgjithësi kishin disa pritshmëri, duke shpresuar në përmirësimin e kushteve të jetesës.
Pas publikimit të rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të Kosovës, Lista Serbe deklaroi se nuk i njeh rezultatet zgjedhore.
Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, deklaroi se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje.
“Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”, deklaroi ai më 23 prill.
Cili është qëndrimi i Serbisë?
Beogradi zyrtar e ka mbështetur bojkotimin e zgjedhjeve lokale në Kosovë, duke thënë se autoritetet në Prishtinë duan “ta pushtojnë” veriun.
Më 18 maj, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje serbëve që ta ruajnë paqen, teksa kryetarët e rinj të katër komunave, i quajti “të rremë”.
“Po u kërkoj serbëve që ta ruajnë paqen, pasi ata [kryetarët e rinj] nuk do të pranohen kurrë si kryetarë”, tha Vuçiq.
Qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare
Bashkësia ndërkombëtare ka njohur ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 23 prillit, por ka shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen në zgjedhje të partive nga komuniteti serb.
Megjithatë, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se ka pasur një pjesëmarrje të vogël të votuesve në zgjedhje dhe se zgjedhjet në veri “nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate politike”. Nga blloku evropian u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë një zgjidhje politike, në bazë të së cilës, serbët do të ktheheshin në institucionet e Kosovës.
Po ashtu, edhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur keqardhje për mospjesëmarrjen e partive serbe në veri. Më 23 prill, Uashingtoni tha se do të vazhdojë të angazhohet me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm.