Këshilltari i lartë në Departamentin Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe emisari për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë theksuar se nuk do të pranojnë krijimin e një “Republika Sërbska” në Kosovë.
Duke folur para anëtarëve të Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së në lidhje me situatën në Ballkanin Perëndimor, Chollet tha qëllimi i Asociacionit është që serbët në veri të Kosovës mos të jenë të varur dhe lidhur nga Serbia, por të fokusohen në arsimim, kujdes shëndetësor dhe të tjera në Kosovë.
Ai tha se ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi kanë propozuar disa modele ku pakicat në BE kanë një shkallë të kontrollit lokal. Megjithatë, Chollet theksoi se lidershipi në Kosovë tani duhet të tregojë si mund të duket Asociacioni dhe të jetë i pranueshëm për ta.
“Asociacioni është një zotim ndërkombëtar që është futur në marrëveshjen e Brukselit në vitin 2013. Në pikëpamjen tonë kjo është në pajtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe dëshirojmë që gjithë qytetarët e Kosovës të marrin të njëjtat shërbime. Qëllimi është që serbët në veriun e Kosovës mos të jenë të varur nga Beogradi, por të fokusohen në arsimim, kujdes shëndetësor, zhvillim ekonomik. Kemi qenë të qartë se nuk do të pranojmë dhe nuk e përkrahim asgjë që përngjan “Republika Sërbska” në çfarëdo mënyre. Bashkësia Evropiane ka përmendur më shumë se gjashtë shembuj brenda BE-së, si në Itali të Veriut, Zvicër, Finlandë në vende ku ka popullata pakicë që kanë një shkallë të kontrollit lokal”- tha ai, raporton KosovaPress.
Përkitazi me këtë, u shpreh edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se modelet evropiane për Asociacionin nuk e shkelin sovranitetin apo kushtetutshmërinë e Kosovës.
Duke folur për zbatimin e marrëveshjes bazë Kosovë-Serbi të arritur me 27 shkurt në Bruksel dhe aneksit të tij, Chollet tha se ka ngecje në implementimin e tyre, por shtoi se duhet guxim politik për zbatim të ujdisë.
Mirëpo, në anën tjetër, kryesuesi i Komitetit për Jashtë në Senatin e SHBA-së, Bob Menendez, tha se Kosovës vazhdimisht po i bëhet presion për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ndaj Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiç, nuk po bëhet fare presion./TCH