Interi dhe Inzagi po shijojnë rendimentin e një sulmi fantastik.
Shifrat flasin vetë: me 4-2 e firmosur kundër Sasuolos, zikaltrit kanë arritur 24 gola në tetë ndeshjet e tyre të fundit midis kampionatit dhe Kupave, ndryshe nga 5 golat e shënuar në tetë ndeshjet e mëparshme.
Pikërisht këtu qëndron edhe sekreti i një muaji brilant të Interit që ka mbërritur në shtatë fitore radhazi në kampionat, një seri e paparë që nga viti i titullit të fituar me Konten.
Nga 24 golat e shënuar që nga 19 prilli deri në ndeshjen kundër Sasuolos, 16 në fakt mbajnë autorësinë e sulmuesve, me Lautaro Martinezin në rolin e snajperit të pamëshirshëm (7 gola), ndërsa pas tij renditen Lukaku (5), Xheko (3) dhe Korrea (1) duke konfirmuar fjalët e trajnerit që paralajmëronte një skuadër të frikshme.
Në ditët e krizës i vetmi që gjente golin ishte Lukaku, i cili shënonte tri herë me penallti, duke bërë që Interi të tregonte shenja rilindjeje, një rilindje, e cila vuloset më 23 prill me dygolëshin e shënuar në Empoli, që është e para nga shtatë fitoret radhazi të arritura në muajin e fundit.
KONFIRMIME – Inzagi po u gëzohet të gjithë sulmuesve të tij që lulëzuan në periudhën vendimtare të sezonit. Të gjithë përveç Lautaros, sepse “demi” ishte i vetmi që nuk kishte kaluar kurrë në letargji totale. Aktualisht argjentinasi është vetëm 1 gol larg rekordit më të mirë të tij personal, atë të 25 golave të shënuar në një sezon, ndërkohë që ka arritur maksimumin personal të kontributit në gola, falë 24 rrjetave dhe 10 asisteve.
Në kampionat numri 10 i Interit ka përjetuar periudha thatësire që kanë zgjatur deri në 5 ndeshje, duke treguar shenja vazhdimësie dhe pjekurie. Lukaku dhe Xheko, nga ana tjetër, kanë lulëzuar pas një dimri të vështirë për ta, duke pasur një ndikim vendimtar kur Inzagi kishte më shumë se kurrë nevojë. 5 gola dhe 3 asiste të Lukakut në pesë ndeshjet e fundit dhe 3 të Xhekos në dy ndeshjet e fundit që ka qenë në fushë (në stol ndaj Sasuolos), njëri prej tyre në gjysmëfinalen e parë ndaj Milanit, janë sinjali më i qartë se mënyra si performon trupa e Inzagit është padyshim falë punës së sulmuesve, që kanë realizuar mesatarisht tre gola për ndeshje duke e kthyer Interin në një makineri golash.
/BotaSot/