KOSOVË

Kryeprokurori bullgar refuzon dorëheqjen, i quan rivalët “plehra politike”

Kryeprokurori bullgar Ivan Geshev ka refuzuar të japë dorëheqjen, duke grisur letrën e tij të dorëheqjes dhe duke i quajtur rivalët e tij në parlament si “plehra politike”.

“Unë do ta përfundoj mandatin tim”, u tha gazetarëve 52-vjeçari Geshev më 15 maj gjatë një konference për media. “Unë nuk kam frikë”.

Geshev u përball me thirrje për të dhënë dorëheqje, pasi kundërshtarët e tij e akuzuan atë për orkestrimin e një shpërthimi pranë makinës së tij në fillim të këtij muaji, i cili u përshkrua si një tentativë për vrasje.

Përveç thirrjeve në rritje për dorëheqjen e tij lidhur me pretendimet se ai organizoi një shpërthim pranë makinës së tij, Geshev po përballet edhe me procedurat e shkarkimit të nisura nga prokurorët e Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Mariya Gabriel, kandidatja për kryeministre nga partia e qendrës së djathtë GERB, e cila së fundmi fitoi në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Bullgari, ka njoftuar se ministrja e saj e ardhshme e Drejtësisë do të nisë procedurat për shkarkimin e Geshev.

Megjithatë, Geshev, i cili nuk ka komentuar incidentin e supozuar me makinën e tij, pohoi se ai ishte në shënjestër të “mafias politike, oligarkisë dhe krimit të organizuar” dhe drejtoi gishtin nga ish-kryeministri Bojko Borisov për presionin ndaj tij për të dhënë dorëheqjen.

Borisov ka mohuar akuzat.

Geshev, i cili ka mbajtur postin e kryeprokurorit që nga fundi i vitit 2019, për një mandat shtatëvjeçar, këmbënguli se ka punuar gjithmonë për të mirën e Bullgarisë dhe qytetarëve të saj, por pretendoi se ishte këshilluar nga një person anonim për të dhënë dorëheqjen e tij deri më 15 maj pasi u kthye nga një udhëtim në Shtetet e Bashkuara.

Ai ka thënë se është kërcënuar duke i përmendur familjen dhe se i është thënë që nëse nuk jep dorëheqjen, do të publikohen video kundër tij.

Geshev tha gjithashtu se muajin e kaluar kishte marrë një ofertë, për të cilën i thanë se erdhi nga Borisov, për të filluar një karrierë politike ose për të shkuar si ambasador në Izrael apo Turqi. Borisov ka mohuar të ketë bërë një ofertë të tillë dhe tha se nuk ishte në gjendje ta bënte një gjë të tillë.

Mediat bullgare dhe zyrtarët e prokurorisë kanë thënë se Geshev dhe familja e tij mezi shpëtuan kur një eksploziv shpërtheu pranë makinës së tij në një rrugë në një zonë rurale.

Megjithatë, sipas ministrit të Brendshëm Ivan Demerdzhiev dhe zëvendësit të Geshev, Borislav Sarafov, i cili gjithashtu drejton Shërbimin Kombëtar të Hetimit, Geshev po udhëtonte i vetëm gjatë shpërthimit dhe makina e tij e blinduar nuk u dëmtua.

Përkundër kësaj, Geshev më 15 maj kërkoi dorëheqjen e Sarafov dhe kërcënoi se do të kërkonte shkarkimin e tij nga Këshilli i Lartë Gjyqësor nëse ai refuzon të japë dorëheqjen.

Disa vëzhgues kanë spekuluar se vetë mbështetësit e Geshev brenda partisë GERB mund të jenë kthyer kundër tij pas incidentit të 1 majit.

Aktualisht, partia GERB është në negociata për të formuar një qeveri koalicioni që mund të zhbllokojë një ngërç të zgjatur politik që ka çuar në pesë zgjedhje të përgjithshme në dy vjet.

Presidenti Rumen Radev i ka dhënë kandidates për kryeministre Mariya Gabriel mandatin e parë për të formuar një qeveri dhe ajo ka shtatë ditë për të propozuar Këshillin e Ministrave.

Nëse ajo dështon, mandati do t’i jepet grupit të dytë parlamentar më të madh, koalicionit pro-evropian Ne Vazhdojmë Ndryshimin-Bullgaria Demokratike.

Related posts

Marrëveshja nuk po zbatohet për shkak të sjelljes destruktive të Serbisë

admin

Pa demokratizimin e Serbisë s’ka normalizim të rajonit

admin

Për e kundër draft-statutit për Asociacionin të propozuar nga Rama

admin

Leave a Comment