Në Bruksel është mbajtur rundi i ri i dialogut mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Takimi nuk ka dhënë asnjë rezultat, megjithëse sipas pjesëmarrësve, janë diskutuar një sërë temash.
Ky rund bisedimesh kishte fokus zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksit të saj.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se në takimin e 15 majit u bisedua se si palët e shohin drejtimin në të cilin po shkon procesi i dialogut. Ai tha se në agjendë të bisedimeve ishte “gjithçka që ka të bëjë me zbatimin e Marrëveshjes” së Ohrit.
Bislimi konfirmoi se gjatë vizitës së javës së kaluar, i dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak dërgoi në Prishtinë dhe Beograd disa dokumente që kanë të bëjnë me kompetencat e mekanizmit për zbatimin e marrëveshjes, me zbatimin e zbatimit e Deklaratës për të Zhdukurit, si dhe për qasjen e tij se si duhet të vazhdohet me zbatimin e pikës shtatë të marrëveshjes që ka të bëjë me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në marrëveshjen që arritëm në Ohër thuhet qartë se asnjë nga nenet nuk mund të kushtëzojnë nenet tjera dhe se të gjitha nenet do të zbatohen në mënyrë të pavarur. Po ashtu, thuhet se asnjëra palë nuk do të bllokojë zbatimin e ndonjë neni të caktuar. Ky është udhërrëfyesi për ne. Nuk besoj se ka gatishmëri nga BE-ja që t’i ikë një dokumentin që vetë e kanë sjellë dhe e kanë publikuar në ueb-faqrn e tyre”, tha Bislimi në fund të takimit.
Deri më tani nuk ka paralajmërime se cilat do të jenë hapat e ardhshëm dhe kur do të takohen sërish Bislimi dhe Petkoviq.
Ndërkaq, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka konfirmuar se pala serbe ka insistuar në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por që, sipas tij, nuk është e lehtë të bisedohet me Prishtinën.
“Kur duhej të bisedonim për çështjet e rëndësishme, siç është zbatimi i mëtejmë i formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështja e të pagjeturve, gjegjësisht se çfarë dhe si të bëhet më tutje pas Deklaratës për Personat e Zhdukur, por edhe për çështje të tjera të rëndësishme, siç është liria e lëvizjes, për çështjet që kanë të bëjnë me vetë jetën e serbëve në Kosovë, dhunën institucionale të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit, e cila ndodh ndaj serbëve çdo ditë, sulmet e Policisë së Kosovës, të shtënat mbi serbët… për këto, Bislimi nuk donte të jepte kurrfarë përgjigjesh konkrete. Gjatë gjithë kohës, me ndërhyrje të ndryshme përpiqej ta bënte të pakuptimtë rrjedhën e dialogut”, u tha Petkoviq gazetarëve.
Para takimit trepalësh, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me Bislimin dhe Petkoviqin.
Ky ishte takimi i parë i kryenegociatorëve pas takimit në nivel të lartë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel. Në atë takim, liderët politikë u pajtuan për deklaratën e përbashkët për të zhdukurit nga lufta e fundit në Kosovë dhe aty u prezantua nga Ekipi Menaxhues drafti i parë i statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
I dërguari i BE-së, Mirosllav Lajçak, në prag të takimit në Bruksel, kishte shkruar në rrjetet sociale se është i nevojshëm një fokus i plotë në normalizimin e raporteve dhe në zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit.
Kosova dhe Serbia më 27 shkurt në Bruksel arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq më 18 mars në Ohër u pajtuan për Aneksin e zbatimit të saj.
Lajçak takimin e së hënës e përgatiti përmes vizitave javën e kaluar në Kosovë dhe Serbi.