Nën ethet për të prekur magjinë e skenës së madhe europiane dhe me misionin për të ngritur peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve, Albina Kelmendi ka një mesazh ekskluziv për RTSH, drejtuar bashkëkombësve kudo në botë.
Falënderuese për dashurinë dhe mbështetjen që ka marrë gjatë gjithë kësaj kohe, këngëtarja edhe sot kërkon mbështetje që “Duje” të shkojë në finale.
“Përshëndetje për Radio Televizionin Shqiptar, përshëndetje për të gjithë shqiptarë anembanë botës. Me këtë video duam t’ju informojmë që sonte do ngjitemi në skenën e madhe të Liverpul dhe ndaj kërkoj mbështetjen tuaj siç na e keni dhënë deri më sot, kërkojmë të na votoni që të shkojmë në finale. Sonte është momenti që çdo shqiptar ta tregojë veten dhe të tregojmë sa zemërgjerë jemi. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen dhe suportin që na keni dhënë deri tani”, shprehet Albina.
Me shijen e atmosferës elektrizuese që Albina na dërgon nga Liverpuli, ne presim me padurim të përjetojmë live emocionet e një performance që premton shumë.
Albina dhe Familja Kelmendi do të performojnë të 14-të në radhë, ndërsa mund ta ndiqni në transmetimin e drejtpërdrejtë në RTSH 1, RTSH Muzikë, dhe Radio Tirana 1, që do të fillojë në orën 21:00.