BOTA

Gjermanisë do t’i mungojnë pesë milionë punëtorë deri në vitin 2060

Gjermanisë do t’i mungojnë pesë milionë punëtorë deri në vitin 2060, sipas një studimi të Institutit për Kërkime të Punës (IAB), i cili u raportua nga mediat gjermane të shtunën.

“Studimi tregon se punëdhënësit do të kenë shumë më pak punëtorë në dispozicion në vitet në vijim”, ka thënë Enzo Weber nga IAB, institut që vepron në kuadër të Agjencisë Federale të Punësimit në Nuremberg.

Deri në vitin 2060, numri i punëtorëve në tregun e punës do të ulet me 11.7 për qind, nga 45.7 milionë që janë aktualisht në 40.4. Në të njëjtën kohë, këto vlerësime marrin parasysh përqindjen në rritje të të moshuarve dhe grave që hyjnë në tregun e punës, si dhe masat që duhet të inkurajojnë imigrimin e fuqisë punëtore.

“Nëse duam të bëjmë diçka kundër kësaj tendence, atëherë duhet të përshpejtojmë më tej masat si integrimi i të moshuarve dhe grave në tregun e punës, si dhe imigracioni”, ka thënë Weber.

Ai ka thënë se në të ardhmen, me rastin e imigrimit të fuqisë punëtore, e cila aktualisht vjen nga vendet e tjera të Bashkimit Evropian, “do të jetë e nevojshme të mbështetemi te punëtorët jashtë BE-së”.

“Ne duhet të heqim pengesat që qëndrojnë në rrugën e imigrimit të fuqisë punëtore nga vendet e treta”, ka thënë Weber.

Aktualisht, ligji i ri i qeverisë së koalicionit, i cili duhet të lehtësojë emigracionin nga vendet jashtë BE-së, po kalon procedurën parlamentare.

Por kjo, sipas mendimit të ekonomistëve nga IAB, nuk do të mjaftojë.

“Duhet të rrisim natalitetin dhe për këtë duhet të krijojmë kushte sociale që do të lehtësojnë harmoninë midis familjes dhe jetës së punës. Këtu përfshihen faktorë të tillë si orari fleksibël i punës si dhe sigurimi i një numri të mjaftueshëm vendesh në kopshte”, përfundoi Weber.

Related posts

Biden i trishtuar për humbjet nga tërmeti në Marok: SHBA, e gatshme të ofrojë të gjithë ndihmën e nevojshme

admin

Pas Jenin trazira edhe në Nablus! Forcat izraelite vrasin dy palestinezë

admin

Milano bëhet gati për stuhinë! Mbyllen parqet dhe tregjet e hapura

admin

Leave a Comment